Ndërprerja e energjisë po dëmton bizneset – Lajmi.net
Ndërprerja e energjisë po dëmton bizneset
Autori: Lajmi.net EkonomiLajme 20:02, 29 July 2018
Ndërprerja  pa paralajmërim të rrymës nga ana e kompanisë për shpërndarje të energjisë elektrike KEDS, po shkakton prishje të pajisjeve të rëndësishme të bizneseve.

Kështu kanë thënë pronarë të disa bizneseve për Radio Kosovën, duke paralajmëruar edhe padi ndaj kompanisë në fjalë. Kurse nga KEDS janë përgjigjur shkurt, duke thënë se nuk ka ndalje të paplanifikuar.

Ndërprerjet e rrymës po vazhdojnë edhe tani në stinën e verës, thonë udhëheqësit e  disa bizneseve për Radio Kosovën. Bejtush Gashi ankohet se zona e Gollakut është shumë e neglizhuar sa i përket furnizimit me energji elektrike.

“Kemi pas probleme të vazhdueshme pothuajse për tri javë rresht kemi ndërprerje qysh prej orës 10:00 deri në orën 5-6 pasdite”, thotë ai.

Ndërprerja e energjisë ka shkaktuar edhe dëmtim në pajisje e cila sipas Gashit është importuar nga jashtë. Për këtë arsye ai thotë se do ta padisë KEDS-in.

“Kemi rastin më konkret na ka shkaktua dëme, para orës një ka pas ndërprerje të energjisë elektrike, ka ardhur pastaj është ndalë, disa herë, edhe prej orës një nuk ka pasur, deri në orën pesë kur e kanë lëshuar. Dhe tash është prishur një pajisje të cilën e kemi blerë vitin e kaluar, është importuar prej Belgjikës. Ajo pajisje ka qenë e subvencionuar 50% prej Ministrisë së Bujqësisë dhe ka shkaktua djegie në softuer të pajisjes edhe ne duam të padisim KEDS-in për dëmet që na ka shkaktuar”, thotë ai.

Ndaljet e papritura të rrymës kanë shkaktuar probleme edhe tek bizneset e tjera. Bajram Gashi, po për Radio Kosovën ka thënë se i është prishur arka fiskale për çka ka pasur problem me Administratën Tatimore të Kosovës.

“Problemi është shqetësues edhe po na shkakton dëme në biznes. Sidomos edhe sot prapë kish pas problem prej orës 10:00 një arkë fiskale nuk ka punua, i është djegur adapteri, në atë moment kishin ardhur ATK pse nuk po lëshon kupon fiskal, këto krejt janë shkaktar të rrymës edhe prapëseprapë ne jemi fajtorë”, thotë ai.

Edhe një tjetër biznes nga kjo zonë ka ankesa të shumta. Pronari Ismet Gashi thotë se janë shumë të rralla ditët kur ka furnizim të rregullt me rrymë.

“Asnjëherë paralajmërim nuk na kanë bërë se do të ndalet rryma. Ne kemi shumë telashe të mëdha. Kuptoj, mund të ketë prishje ndonjëherë 2-3 orë, por jo me orë të tëra. Dikush ka shitore, akullore, restorant, i prishen gjërat, qysh mund të punohet pa rrymë”, thotë ai.

Të gjithë të intervistuarit thanë se janë pagues të rregullt të energjisë elektrike. Kurse nga KEDS-i komentuan shkurt këto ankesa. Zëdhënësi Viktor Buzhala përmes postës elektronike ka shkruar se nuk ka pasur ndalje te paplanifikuar.

“Për ndalesa të planifikuara gjithnjë lajmërohen konsumatorët përmes mediave, ndërsa bizneset me të mëdha edhe në mënyrë direkte”, ka shkruar Buzhala.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO