Ndërmarrja e Prishtinës në prag të falimentimit, moti e tradhtoi sivjet

Nëse në verë nuk ka mot me diell dhe dimrit ndodh të ketë shumë borë, një ndërmarrje publike e Komunës së Prishtinës nuk mund të funksionojë.

Lajme

23/08/2018 23:26

Ndërmarrja e Komunës së Prishtinës “Sport Marketing” është buzë falimentimit. Kësaj ndërmarrje që verës i nevojitet dielli e dimrit bora, sivjet i shkoi huq sezoni.

Për shakë motit të keq, pak vizitorë e frekuentuan sivjet pishinën e Gërmisë, shkruan lajmi.net.

Me pishinën e Gërmisë menaxhon kjo ndërmarrje. Përderisa thotë se ende kanë problem me pagat, Emrush Hyseni ushtrues detyre i kryeshef Ekzekutiv në NPL “Sport Marketing” njoftoi për ditë të këqija në ndërmarrje, nëse nuk ndryshohet diçka.

“Sivjet ra shi shumë. As 35 për qind të planit nuk kemi mundur ta realizojmë, kjo siç dihet për shkak të faktorit kohë prej të cilës varët edhe ndërmarrja jonë. 22 ditë të sezonit janë që nuk kemi punuar fare. Nuk do të mund të ekzekutojmë as pagesat për muajin gusht për punëtorët. Në këtë vit kemi hyrë me 11 paga minus, ndërsa moti sivjet veç sa na e ka rënduar gjendjen, edhe pse kemi pas shpresë që në këtë vit do të zbutej gjendja e keqe financiare sado pak”, tha Hyseni për lajmi.net.

Tri ditë të plota me diell, ia humbi ndërmarrjes edhe organizimi i Sunny Hill Festival. Kjo pasi, Komuna nuk e rimurësoi kompaninë për këto ditë që e mbajti të bllokuar Gërminë.

“Sivjet kemi pasur deri në 454 vizitorë në ditë, një mestarë kjo. Kjo nuk i mbulon të gjitha shpenzimet, pasi vetëm në pozicion të rrymës e kemi 5534 euro. Komuna nuk na ka riburësu ditët gjatë të cilave nuk kanë mundur të hynë qytetarët për shkak të festivalit. E dihet ato ditë kanë qenë të mira me diell që kanë mundur të jenë sivjet”, shtoi tutje Hyseni.

Ndërkaq, “Sport Marketing”, pos të hyrave që i ka gjatë verës nga pishina e Gërmisë, menaxhon edhe me Qendrën e Skijimit në Brezovicë, ku fëmijët e kryeqytetit shkojë gjatë dimrit për të mësuar skijimin.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në zotimin e tij të 97, gjatë zgjedhjeve kishte theksuar se “Rritja e fushave sportive në menaxhim të ndërmarrjes Sport Marketing përveç Pishinës së Gërmisë – Në përputhje me Zotimin për rritjen e hapësirave sportive në Komunën e Prishtinës do të shtohen edhe përgjegjësitë e Ndërmarrjes Publike Sport Marketing, që do të menaxhojë fushat për t’i mirëmbajtur ato”. Por, kjo ende nuk ka ndodhur. /Lajmi.net/