Ndërhyrja Edita Tahirit zhbllokon pikën kufitare të Mutivodës

Pas marrjes së informatës se në pikë-kalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, në Mutivodë, janë krijuar kolona të gjata të qytetarëve nga Lugina e Preshevës, që po shkojnë për të votuar në zgjedhjet lokale në Medvegjë, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka reaguar menjëherë dhe ka kërkuar nga Bashikimi Evropian që të ndërhyjë dhe të mundësojë qarkullimin e qytetarëve, konform marrëveshjes së Brukselit për lëvizjen e lirë.

Lajme

13/09/2015 14:09

“Pas kësaj ndërhyrjeje nga ana e ministres, pala serbe ka evituar problemet dhe po mundësohet qarkullimi i papenguar i qytetarëve në këtë pikë-kalim kufitar”, tha për Telegrafin, Dren Zeka, këshilltar politik ministres Tahiri.

Bllokadën e sotme të kufirit nga pala serbe, Zeka e ka cilësuar të papranueshme dhe shkelje të marrëveshjes dhe kjo çështje do të adresohet në takimin e radhës në Bruksel për lëvizjen e lirë, që pritet të mbahet kah fundi i këtij muaji.

Ndërkohë raportet nga tereni thonë se në pikë-kalimin kufitar në Mutivodë, medvegjasit janë përplasur me policinë serbe, të cilët po arsyetohen se askush nuk mund të hyjë në Serbi për shkak se kanë probleme me sistem të regjistrimit.