Ndërhynë Ushtria në Burkina Faso, shpërndan Parlamentin, largon Presidentin

Presidenti i Burkina Faso-s, Blaise Compaore nuk është më në pushtet, u ka thënë demonstruesve të mbledhur në sheshin kryesor të kryeqytetit Ouagadougou një zëdhënës i Ushtrisë.

Bota

31/10/2014 14:10

Përmes megafonit ai u ka thënë demonstruesve se ky vendim është marrë nga Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë së Burkina Faso-s, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Paradite Ushtria kishte shpërndarë parlamentin me paralajmërimin se do të krijonte një qeveri kalimtare.

Megjithatë, opozita ka vazhduar të kërkojë që ai të japë dorëheqjen dhe ka nxjerrë protestuesit në rrugë edhe të premten, të zemëruar me përpjekjet e presidentit për të ndryshuar kushtetutën dhe zgjeruar sundimin e tij 27-vjeçar.

Presidenti Compaore kishte thënë paraditen e së premtes se ka hequr dorë nga ndryshimet kushtetuese për t’i dhënë vetvetes mundësinë që të kandidojë sërish, porse ishte zotuar se do të qëndronte në pushtet deri në përfundim të mandatit, në vitin 2015.

—————————————————————————–

Ndërhyn Ushtria, shpërndahet parlamenti i Burkina Fasos

Opozita në shtet afrikan, Burkina Faso, ka ripërsëritur thirrjen e saj për dorëheqjen e menjëhershme të presidentit Blaise Compaore, derisa mijëra protestues janë mbledhur edhe të premten në sheshin kryesor të kryeqytetit Ouagadougou.

Në një deklaratë për media, kreu i opozitës, Zephirin Diabre u kërkoi protestuesve të zënë hapësirat publike, të cilët një ditë më parë dogjën Parlamentin, Bashkinë dhe selinë qendrore të partisë në pushtet.

Demonstruesit ishin të zemëruar me presidentin Compaore i cili bëri përpjekje që përmes ligjvënësve të bëjnë ndryshime kushtetuese, që do t’ia mundësonin atij kandidimin edhe për një mandat në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Compaore, pas asaj që ndodhi të enjten, u zotua të premten se ka rënë dakord me ligjvënësit që të mos kërkojë një mandat tjetër, porse ka thënë se do të mbetet në pushtet derisa t’i skadojë mandati, deri në 2015.

Ndërkohë, shefi i Ushtrisë, gjenerali Honoré Traore ka paralajmëruar krijimin e një qeverie kalimtare për të shërbyer deri në zgjedhjet e 2015, pas konsultimeve të bëra me të gjitha palët.

Ai gjithashtu deklaroi shpërbërjen e parlamentit.

Edhe Mohamed Ibn Chambas, i dërguar i posaçëm i shefit të OKB-së, Ban Ki-moon për Afrikën Perëndimore, pritet të arrijë në Burkina Faso, me synimin që të lehtësojë krizën që ka paralizuar vendin.  

Compaore, kishte ardhur në pushtet në vitin 1987, përmes një puci ushtarak dhe për 27 vjet ka qëndruar në pushtet, përkundër akuzave të vazhdueshme të opozitës për manipulim me tre palë zgjedhje presidenciale, nga katër palë sa ishin mbajtur gjatë sundimit të tij.