Ndarja gjinore në shkolla nxit diskriminimin në profesione

Tekstet shkollore djemtë i citojnë si gjithmonë të aftë dhe inteligjentë, duke iu përshtatur edhe profesionet si shkencëtarë apo ushtarë, ndërsa vajzat më shumë si nëna, mësuese apo edukatore dhe duke ëndërruar për martesë.

Lajme

15/12/2017 16:01

Rina Zeka aktiviste për të drejtat e fëmijëve thotë se nëpër këto ndarje gjinore kanë kaluar shumë gjenerata në Kosovë. Ajo përmend se në shkolla gjithmonë ka pasur ndarje të lëndëve ku dominojnë djemtë e ku vajza.

“Në të gjitha sportet favorizohen djemtë. Pastaj pjesa tjetër mendoj se varet nga karakteri i mësimdhënësit”, thotë ajo.

Edukimi i nxënësve mbi barazinë gjinore shihet si përgjegjësi e mësimdhënësve duke marrë parasysh faktin se në Kosovë ende në shumë familje mbizotëron tradicionalja ku gruaja trajtohet jo e barabartë me burrin.

Roli i profesorëve në edukimin e nxënësve mbi barazinë gjinore kërkohet të përmirësohet. Sociolog, ekspertë të arsimit, sindikata e arsimit e shohin të nevojshme që qasja e mësimdhënësve në raport me barazinë gjinore të ndryshojë në shkollat e Kosovës.

Sociologu Ferdi Kamberi e sheh të domosdoshëm angazhimin e mësimdhënësve për kujdes më të madh sa i përket barazisë gjinore. Ai thotë se edukimi dhe shkolla në përgjithësi në opusin sociologjik konsiderohen si agjens i dytë i socializmit, menjëherë pas familjes.

Përmes edukimit dhe arsimimit, ai thekson se njeriu mund të avancohet, të mëson për jetë dhe shoqërinë, të përgatitet për tregun e punës, si dhe për sfidat e jetës. Në këtë kontekst, Kamberi thotë se roli i pedagogëve (arsimtarëve) është i jashtëzakonshëm, sepse ata sipas tij përveç anës pedagogjike kanë rol dhe rëndësi në edukimin e gjeneratave të reja.

“Shkolla është institucioni i dytë i socializmit ku do të duhej që të mësoheshin këto gjëra. Çdo edukim ka përparësitë dhe mangësitë e tij, andaj edhe roli i pedagogëve duhet të jetë i lartë, i përkushtueshëm sepse para vetës ka një gjeneratë të tërë të cilët kanë nevojë për një edukim të mirëfilltë. Edukimi i mirëfilltë duhet të jetë paralel me ndryshimin e teksteve shkollore të cilat kanë stereotipe të mëdha në mes të maskulinitetit dhe feminitetit”, thotë ai për “Zërin.

Përmes këtyre stereotipeve, Kamberi vlerëson se rolet gjinore edhe më shumë ndahen. Madje, ai bënë të ditur se deri vonë edhe në abetaret e shkollave fillore është mësuar se djemtë kryesisht luajnë me aeroplan, kurse vajzat lajnë enë.

“Kjo gjithsesi se mund të jetë e dëmshme për gjeneratat e ardhshme, sepse përveç sterotipizimit të gruas, ajo ndikon edhe në pabarazi gjinore dhe në padrejtësi sociale. Trajtimi i komponentës së barazisë gjinore në kuadër të kurrikulit fillor dhe të mesëm është një nga ato komponentët, e cila apriori ndikon që të ketë një vetëdijesim gjithë shoqëror se gratë dhe burrat janë të barbarët në segmentet e jetës dhe ata duhet trajtuar po ashtu edhe nga familja dhe institucionet tjera”.

Sociologu Kamberi apelon që mësimdhënësit të jenë më vigjilentë në trajtimin e fenomeneve të ndryshme dhe me një përkushtim më të madh, duke punuar më nxënës sidomos të shkollave të mesme, në mënyrë ata-ato t’i orientojnë në karrierë.

“Një pedagogë i cili punon me gjeneratat e shkollave të mesme, do të duhej të jap kontributin në stimulimin dhe përgatitjen e të këtyre gjeneratave për aftësim profesional dhe karrierë, në mënyrë që ata (të rinjtë) të ketë sado kudo një orientim se kah do të shkojnë në të ardhmen e afërt. Mosbashkëpunimi i ngushtë në mes të pedagogëve dhe nxënësve për orientimet e tyre drejtë së ardhmes mund t’i de-orientojnë të rinjtë që ata gabimisht të zgjedhin profesionet e tyre dhe që në të ardhmen mos të kenë ndonjë perspektiv, kjo duke marrë në konsideratë që tregut të Kosovës çdo vit i shtohen mbi 30.000 të rinj të aftë për punë”, ka thënë ai.

Nxënësit mësohen me ndarjen stereotipizuese të profesionëve

Mimoza Kamberi, ligjëruese në Fakultetin e Psikologjisë në Kolegjin “AAB” thotë se edukimi i fëmijëve mbi barazinë gjinore duhet të fillojë shumë më herët.

Ajo thotë se fillimisht informacionet e para fëmija i merr nga familja si institucioni i parë në të cilin fëmija zhvillohet e edukohet, pastaj janë edukatorët parashkollore të cilat po ashtu duhet të kenë kujdes të shtuar gjatë përkujdesjes së fëmijëve.

“Përmes lojës dhe ndarjes së lodrave në baza gjinore, qysh atëherë ju mund të filloni të ngulitni sterotipet gjinore mashkull-femër tek fëmijët, pastaj është edhe mësuesja e cila në këtë moshë konsiderohet si një figurë mjaft dominante dhe e rëndësishme për fëmijën, ajo duhet ta luajë rolin e vet tek fëmija duke e përgatitur qysh nga mosha e hershme për tu përballur me një botë ku nuk do të ketë ndarje dhe diskriminime në baza gjinore”.

Prandaj Kamberi thotë se roli i profesorëve është i pashmangshëm në këtë aspekt.

“Pastaj ka rëndësi shumë qasja, botëkuptimet dhe informacionet që barten tek nxënësit, pasi që mosha e hershme dhe e vonshme e adoleshencës që edhe përket me periudhën e shkollimit të mesëm, është periudha më delikate jetësore, që shpesh adoleshentët në mungesë të informacioneve të plota mund të bien edhe pre e konfuzioneve të shumta shoqërore”, thotë Kamberi duke mos përjashtuar raste individuale që profesori gabimisht të ndikojë në orientimin e profesionit në baza gjinore.

“Mund të ketë edhe raste të tilla individuale, prandaj është e nevojshme prania e psikologëve shkollor apo specialistë të orientimit profesional, ku roli i tyre është që përmes testeve të ndryshme të standardizuara si dhe bisedave që kanë me nxënësit, t’i orientojnë në profesionet ku nxënësi ka më shumë afinitet dhe prirje, pavarësisht se për atë lloj profesioni mund të ekzistojnë edhe paragjykimet në komunitet se është profesion për burra apo gra”.

Nëse dëshirojmë që në të ardhmen të kemi një shoqëri jo të ndarë dhe të diskriminuar në profesione sa i përket gjinisë, atëherë ajo porosit prindërit që të fillojnë edukimin e fëmijës në këtë aspekt edhe që nga dita e parë e ardhjes së tyre në jetë.

“Vajzat mos t’i veshim vetëm më ngjyra të kuqe, pink apo lejla, djemtë po ashtu mos t’i kufizoni vetëm në ngjyrat që ne i konsiderojmë se janë tipike për djem, mos i mësoni që nga fillimi se kukullat janë për vajza, dhe veturat për djelmosha, lëreni ata të lirë që vet të zgjedhin se me çfarë duanë të luajnë. Mos i duartrokisni fëmijëve djem kur ata sillen dhe bëjnë si të fortë, e t’i qortoni vajzat e vogla kur ato bëjnë të njëjtën gjë, e shumë e shumë shembuj të tjerë të cilat na bëjnë të kuptojmë se ky ndikim është tepër i hershëm dhe vetëm një vetëdijesim i të rriturve në këtë aspekt mund të jep efektet e veta të mëvonshme tek gjeneratat e reja që vijnë pas”, apelon Kamberi.

Kultivimi i ndasisë në baza gjinore kërkohet të ndërpritet

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi thotë se mësimdhënësit duhet që nga ditët e para në shkollë t’i mësojnë fëmijët se ata janë plotësisht të barabartë pavarësisht përkatësisë së tyre gjinore.

“Nëse në moshë të re fëmijët edukohen në frymën e trajtimit të pabarabartë për shkak të përkatësisë së tyre gjinore, ata do të vazhdojnë të jetojnë me këto bindje të gabueshme gjatë tërë jetës”, thotë Kurteshi.

Ai thotë se mënyra se si i qaset mësimdhënësi kësaj çështjeje natyrisht se ndikon te nxënësit.

“Si Komision asnjëherë nuk e kemi diskutuar këtë çështje, por jam i bindur si secili anëtar veç e veç dhe të gjithë bashkë do të angazhohemi që në shkollat tona të mos lejohet kultivimi i ndasisë në baza gjinore”, thotë Kurteshi.

Ndërkaq, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) thotë se në planin strategjik të kësaj sindikate është shtuar edhe angazhimi që të forcoj rolin e gruas në kuadër të aktiviteteve të SBASHK-ut. Kjo sipas tij do të bëhet duke organizuar trajnime të veçanta me gratë e punësuara në arsim.

“Edhe në kuadër të trajnimeve që i bëjmë për dialogun social ne provojmë të bartim mesazhin që edhe në klasa nxënësit mos të ndihen të ndarë në aspektin gjinor”, thekson ai.

Jasharaj ka thënë se si sindikatë po insistojnë tek kolegët që edhe në kuadër të angazhimeve SBASHK-ut dhe në angazhimet e tyre në klasë të mos vërehen dallime.

“Edhe nga analizat që janë bërë si në Shqipëri dhe në Kosovë, edhe tek testi PISA ka dal se vajzat janë shumë më të angazhuar dhe rezultatet flasin se vajzat kanë arritur rezultate më të mira tek PISA se vajzat po angazhohet edhe e meriton përkrahjen edhe kujdestarit edhe mësuesit, por edhe në kuadër të SBASHK-ut e meriton një përkrahje që të krijohet një ambient që ajo të ndihet e lirë e përkrahur”, thotë Jasharaj.

Ky trajnim i grave i iniciuar nga SBASHK për barazi gjinore ka filluar nga viti i kaluar në kuadër të planit strategjik 2015-2019. “Ne jemi duke mbajtur trajnime me veprimtarët sindikale”, thotë ai.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Qendra e Kosovës për Arsim (KEC) tregohet se reagimet si të mësimdhënëseve ashtu edhe të mësimdhënësve nuk janë në përputhje me nevojat e edukimit të të rinjve për të drejtat e njeriut dhe të barazisë gjinore si një ndër parakushtet themelore për një të ardhme të lumtur dhe të emancipimit të përgjithshëm njerëzor.

Studimi i  KEC-it për barazinë gjinore në librat e leximit në arsimin e detyruar nëntë vjeçar në Kosovë ka nxjerrë të dhëna se mësimdhënëset dhe mësimdhënësit nuk i kanë kushtuar rëndësi të duhur (pa) barazisë gjinore dhe stereotipeve gjinore. Kryesisht mësimdhënësit janë deklaruar se kanë njohuri që kjo problematikë trajtohet në lëndën e edukatës qytetare./Zëri