Navas shkakton probleme te Reali

Ishte e pritshme! Ardhja e Courtois në Real Madrid, ishte një “kërcënim” për Keylor Navas, i cili humbi vendin e titullarit brenda një dite dhe një dyshe e këtij niveli, kurrsesi nuk mund të bashkëjetojë me njëri-tjetrin në harmoni.

Sport

19/09/2018 18:11

Nisur nga kjo, kostarikani ka paralajmëruar drejtuesit e klubit se në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë. Siç shkruan, “Don Balon”, ai është shprehur se po punon shumë fort për të zënë vendin e titullarit, më shumë se “kundërshtari” (referuar këtu belgut), por sipas tij, Lopetegui  nuk e merr aspak parasysh.

Florentino Perez ka derdhur në arkat e Chelseas një shumë të konsiderueshme për Courtois, saktësisht 35 milion euro, dhe sigurisht qëllimi i tyre nuk ka qenë që të blinin një portier që të “ngroh” stolin, për këtë arsye ua ka bërë më herët të qartë dy lojtarëve të tij: Në La Liga dhe Champions do të jetë titullar Courtois, e ndërsa për Kupën Navas.

Mirëpo ky i fundit nuk është shumë i kënaqur me këtë ndarje, dhe ditëve të fundit ka “ngritur krye” madje duke u vënë edhe kusht drejtuesve.

Ai kërkon Kupën dhe La Ligën, përndryshe ka “kërcënuar” se do të largohet. Lufta kundër vullnetit të presidentit duket e pamundur, kështu që gjasat janë që portieri, i cili ka luajtur një rol kyç në fitoren e tre Champions League radhazi të largohet në merkaton e janarit, duke ia lënë kështu të lirë vendin “konkurrentit” të tij.