Navalny bën thirrje të shkatërrohet regjimi i Putinit

Kreu i opozitës ruse, Aleksei Navalny dhe i vëllai i tij, Oleg, të martën janë shpallur fajtorë për “mashtrim të profilit të lartë” – ikje nga tatimet dhe vjedhje të më shumë se 30 milionë rublave (335 mijë eurove).

Bota

30/12/2014 10:06

Navalny është dënuar me tre vjet e gjysmë burg me kusht, ndërsa i vëllai ka marrë të njëjtin dënim, por pa kusht dhe është dërguar menjëherë në qendrën e paraburgimit në Moskë, ku pastaj do t’i caktohet vend-vuajtja e dënimit.   

Politikani Navalny ka qenë një nga kritikët e ashpër të presidenti Vladimir Putin për disa vjet, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Ai udhëhoqi protesta masive në 2011 dhe vazhdon të akuzojë qeverinë e presidentit Vladimir Putin për korrupsion të përhapur në të gjithë sistemin.

Të martën pas shpalljes së dënimit, opozitari rus tha se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.

Vërdikti i gjykatës kundër Navalny ishte parapar të shpallej muajin e ardhshëm, por data e seancës vendimtare u zhvendos befas, pasi mbështetësit e tij kishin filluar përgatitjet për një tubim të madh proteste më 15 janar.

Edhe të martën pas gjykimit, Navalny iu ka bërë thirrje rusëve që të dalin në rrugë për të rrëzuar regjimin e korruptuar.

“Ky regjim nuk ka të drejtë që të ekzistojë. Ai duhet të shkatërrohet, jo Rusia. Unë iu bëj thirrje të gjithë rusëve që të dalin në rrugë qysh sot”, ka thënë Navaly para gazetarëve të cilët po e prisnin tek gjykata ku është shpallur dënimi.

Navalny ka përseritur se akuzat ndaj tij dhe të vëllait, janë bërë vetëm për shkak të kundërshtimeve të tyre ndaj politikës së presidentit Vladimir Putin.

Edhe avokatët mbrojtës të opozitarit rus kanë paralajmëruar ankesë ndaj vendimit, ndërsa prokurori, i cili kishte kërkuar nga dhjetë vjet burgim për vëllezërit, ka thënë se fillimisht do ta lexoj arsyetimin e gjykatës rreth këtij vëndimi, dhe më pas do të vendosë nëse do të bëj ankesë apo jo në këtë rast.