NATO-Rusi/ Përplasja e deklaratave nga Tirana

Për dy ditë, nga data 15 deri në 17 shtator, në Tiranë qëndruan shefat e Mbrojtjes së NATO-s. Gjeneralët e aleancës më të madhe ushtarake në glob, u ulën në tryezën e Hotel International për të folur për luftën kundër terrorizmit, strategjinë e re amerikane në Afganistan dhe ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Në konferencë…

Bota

17/09/2017 21:07

Për dy ditë, nga data 15 deri në 17 shtator, në Tiranë qëndruan shefat e Mbrojtjes së NATO-s. Gjeneralët e aleancës më të madhe ushtarake në glob, u ulën në tryezën e Hotel International për të folur për luftën kundër terrorizmit, strategjinë e re amerikane në Afganistan dhe ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Në konferencë u zgjodh kryetari i ardhshëm i Komitetit Ushtarak, gjeneral Sir Stuart William Peach nga Britania e Madhe.

Mbledhja në Tiranë, në kufijtë lindorë të aleancës, heq çdo dyshim për dilemat e politikës së jashtme amerikane përkundrejt Rusisë, të cilat u amplifikuan nga analistët, pas zgjedhjes së presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas deklaratës zyrtare nga Ministria jonë e Mbrojtjes tema kryesore e diskutimeve ishte situata e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Në këtë çështje, që prek direkt Shqipërinë, mesazhet ishin të qarta; rreziku i ndikimit rus në rajon.

Gjeneral Petr Pavel, që drejton Komitetin Ushtarak të NATO-s, foli nga Tirana për rrezikun e një “lufte të madhe” me Rusinë. Në një intervistë nga Tirana, për Associated Press, biseda me gazetarin Llazar Semini u përqëndrua mbi marrëdhënien e vështirë të NATO-s me Rusinë, më konkretisht për manovrat ushtarake, Zapad 2017.

Bëhet fjalë për një stërvitje të përbashkët mes forcave ruse dhe atyre bjelloruse. Zyrtarisht flitet për 5,500 trupa ruse dhe 7,200 trupa bjelloruse, por sipas gjeneralit Petr Pavel, trupat e përfshirë në stërvitje mund të jenë 70 apo 100 mijë .

“Ajo që ne shohim janë përgatitje për një luftë të madhe” ishte deklarata e fortë e gjeneralit Pavel dhënë për AP.

Për agjensinë ndërkombëtare të lajmeve, shefi i Komitetit të NATO-s, ka përmendur edhe ndikimin malinj të rusëve në rajon.

Ne nuk jemi në garë me Rusinë për Ballkanin Perëndimor. Ne jemi të interesuar fillimisht që Ballkani të jetë stabël dhe i sigurtë” tha ai, ndërsa ka siguruar se 4 mijë e 500 trupat e KFOR, që qëndrojnë në Kosovë që nga viti 1999, nuk do të lëvizin nga aty” raporton Asociated Press.

Deklaratat nuk ranë në vesh të shurdhër.

Ndërsa gjeneralët e NATO-s ende diskutonin në Tiranë, ambasadori rus, Aleksander Karpushin, dha një intervistë tjetër.

Në bisedën me gazetarin Vincent Triest, Karpushin nuk ngurroi të flasë për situatën në rajon. Ai komentoi zgjedhjen që ka bërë Tirana zyrtare, për t’iu bashkuar embargos së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian ndaj Rusisë.

Sipas tij, me embargon është marrë një vendim kundër interesit të popullit shqiptar.

“Shembulli i Shqipërisë dhe Malit të Zi flet vetëm për një gjë, për gatishmërinë e tyre të sakrifikojnë interesat e qytetarëve në këmbim të një përfitimi të pasigurt. Siç e shohim, askush nuk ka ndërmend t’u garantojë atyre një integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian”

Sondazhet tregojnë se 85% e qytetarëve shqiptarë janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa për mbështetjen e SHBA, shqiptarët renditen ndër popujt më proamerikanë në botë.

Pavarësisht tranzicionit të gjatë, korrupsionit deri në nivelet më të larta të qeverisë dhe shpërdorimit të klisheve “integrimi europian” ndër vite,treguesit kanë mbetur konstantë.

Dyshimet që ka ambasadori kanë të bëjnë me atë që quhet “lodhje e vendeve aspirante” nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Por më shumë se lodhje e qytetarëve shqiptarë, kjo vihet re përmes deklaratave të politikanëve, që tentojnë t’i shpëtojnë përgjegjësive për dështimet në ndërtimin e shtetit të së drejtës, bazuar në vlerat perëndimore.

Një deklaratë e Edi Ramës në Top Story, në datën 14 shtator, ishte shprehja më e mirë e kësaj “lodhjeje”.

“Integrimi historia jonë, është të jesh një shtet, të kesh mirëqenie dhe integrimi, sipas Brukselit është pak më kompleks. Kam dëgjuar “kaloni reformën dhe do të hapin negociatat”, pastaj vettingun, pastaj “bëni edhe zgjedhjet” dhe tani kam dëgjuar një gjë interesante dhe s’e di se ku do të dalë kjo; krimi etnik shqiptar! Ne integrimi nuk na duhet për Brukselin, por për fëmijët tanë, na duhet për një shtet si ai që e kanë dashur të parët tanë dhe e duan fëmijët tanë.” u shpreh Rama, në intervistën përballë gazetarit Sokol Balla .

Në tryezën e NATO-s, kryeministri Edi Rama foli ndryshe. Nuk pati asnjë stërzgjatje për procesin e integrimit, por ishte i qartë se kush janë qëllimet dhe detyrimet e Shqipërisë.

“Ne besojmë fort se vetëm integrimi i plotë Euro-Atlantik i vendeve të mbetura ende jashtë, është rruga për stabilizimin, sigurinë, prosperitetin e Ballkanit, por edhe të vetë Europës. Nga ana tjetër, ne e dimë fort mirë se krahas detyrimeve dhe përgjegjësive ndërkombëtare e rajonale, pjesë e detyrës sonë është vijimi i reformave të rëndësishme në rrafshin e brendshëm, ndër të cilat, ato në fushën e sigurisë padiskutim mbeten përherë të rëndësishme” tha Rama.

Problemet e brendshme në ekonomi dhe në krimin e organizuar janë burim direkt i destabilitetit në rajon edhe sipas shefit aktual të Komitetit të NATO-s, Petr Pavel, i cili e rreshton ndikimin rus mes problemeve të brendshme, që mund të kenë shtetet e Ballkanit.

“Pavel thotë se telashet në rajon, mund të vijnë nga radikalizmi, krimi i organizuar, emigracioni, problemet ekonomike, apo nga “ndikimi malinj i Rusisë” raportoi Associated Press./Lapsi.al/