NATO ofron që ta ndihmojë Afganistanin gjatë zgjedhjeve

NATO thotë se mund të ofrojë siguri shtesë gjatë zgjedhjeve parlamentare në Afganistan, pas rritjes së sulmeve në vend, në pragë të zgjedhjeve që do të mbahen në tetor.

Bota

26/04/2018 16:24

“Kontributi ynë kryesor është që të sigurohemi që zgjedhjet të mbahen në një ambient të sigurt dhe të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për forcat e sigurisë afgane, duke i trajnuar ata, duke i këshilluar dhe duke i financuar”, tha shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Por, Stolltenberg tha se përfshirja e NATO-s do të jetë e kufizuar.

“Duke e thënë këtë, unë gjithashtu parashikoj një rol të kufizuar të forcave të NATO-s për të ndihmuar, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen në një ambient të sigurt”, tha ai.

Këto komente të Stoltenberg vijnë pasi 60 persona u vranë në një sulm vetëvrasës në Kabul, jashtë një qendre për regjistrimin e votuesve më 22 prill. Talibanët kanë njoftuar se kanë nisur ofensivën e tyre vjetore të pranverës.

Misioni i NATO-s ia ka dorëzuar përgjegjësitë për sigurinë në Afganistan autoriteteve vendore në fund të vitit 2014.

Megjithatë, Aleanca ka 13 mijë ushtarë atje dhe ofron trajnime dhe mbështetje për forcat afgane.

“Talibanët duhet ta kuptojnë se ata kurrë nuk mund të fitojnë në fushëbetejë”, tha Stoltenberg.

“Ne do të vazhdojmë të trajnojmë, këshillojmë dhe mbështesim forcat kombëtare të Afganistanit”, tha tutje ai.