“NATO merret me çështjen e kufijve, nëse Beogradi e Prishtina bëjnë ndonjë lëvizje”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur për qëndrimin e aleancës ushtarake karshi çështjes së kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

09/10/2018 23:16

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur për qëndrimin e aleancës ushtarake karshi çështjes së kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Askush nuk pret që ne të pajtohemi me atë që ndodhi në vitin 1999, por besoj se pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve është mirë që të dyja palët të jenë në gjendje të shikojnë nga e ardhmja dhe të bashkëpunojnë”, ka thënë Stoltenberg për televizionin serb RTS, transmeton lajmi.net.

Stoltenberg tha se NATO do të merrej me çështjen e kufijve, vetëm nëse Beogradi e Prishtina do të bënin ndonjë lëvizje.

Derisa foli për ngjarjet e javës së kaluar në Ujman,  Soltenberg tha se NATO dhe KFOR janë atje për të mbrojtur dhe krijuar siguri për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, sigurisht edhe komunitetin serb.

“Një e tillë nuk krijon probleme të mëdha në marrëdhëniet tona, por thekson sfidat që kemi në Kosovë. NATO dhe KFOR janë atje për të mbrojtur dhe krijuar siguri për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, sigurisht edhe komunitetin serb. Kam besim në KFOR-in, mendoj se ky mision është shumë i rëndësishëm dhe unë jam i kënaqur që Presidenti Vuçiq theksoi rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë”, theksoi Soltenberg.

“NATO i ndoqi nga afër ngjarjet e javës së shkuar, KFOR na informoi se nuk kishte aktivitete ushtarake apo arrestime. Unë fola me presidentin Vuçiq atë mëngjes dhe është e rëndësishme që udhëheqësit e rajonit dhe presidenti Vuçiq të mund të kontaktojnë me mua në situata të ngjashme”, ka thënë ndër të tjera Soltenberg. /Lajmi.net/