“NATO ka qenë e pasuksesshme në Afganistan”

Ambasadori i Rusisë në Kabul, Aleksander Mantytskiy, ka thënë se NATO ka qenë e pasuksesshme në luftën kundër terrorit dhe drogës në Afganistan.

Bota

20/04/2017 10:53

Ambasadori i Rusisë në Kabul, Aleksander Mantytskiy, ka thënë se NATO ka qenë e pasuksesshme në luftën kundër terrorit dhe drogës në Afganistan.

Në një konferencë për media në kryeqytetin afgan Kabul, Mantytskiy ka thënë se për sigurimin e paqes në Afganistan është e nevojshme ulja në tryezën e bisedimeve me talebanët.

Ai ka theksuar se Rusia mbështet negociatat për paqe mes qeverisë afgane dhe talebanëve, duke shtuar se “Rusia mund të jetë ndërmjetësues mes talebanëve dhe qeverisë afgane, nëse kjo e fundit dëshiron një gjë të tillë”.

Sipas Mantytskiyt, çështja e paqes në vend është çështje e cila do të mund të zgjidhej nga vetë afganët.

Ai ka mohuar lajmet të cilat pohojnë se Rusia ndihmon talebanët, duke nënvizuar se Kabuli dhe Moska nuk do të jenë nën ndikimin e këtyre lajmeve.

Duke theksuar se vendi i tij nuk ka qëllim të mbështesë talebanët, Mantytskiy pohoi se shtete si SHBA-të janë në kontakt me talebanët.

Ai po ashtu ka theksuar se organizata terroriste DEASH, e cila po përpiqet të rrisë ndikimin në veri të Afganistanit, paraqet kërcënim të madh për Moskën. Ai ka tërhequr vëmendjen drejt përpjekjeve të DEASH-it për t’u futur në Azinë Qendrore nga veriu i Afganistanit.

Siç ka thënë ai, Rusia është e gatshme ta mbështesë qeverinë afgane në luftën kundër terrorizmit dhe lëndëve narkotike. “Amerika nuk dëshiron që Rusia të ndihmojë Afganistanit në luftën kundër terrorizmit dhe kjo gjë është shqetësuese”, ka vazhduar Mantytskiy.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2016, ambasadori Mantytskiy ishte shprehur se janë në kontakt me talebanët për sigurinë e Azisë Qendrore.

Ndërkaq, gjenerali amerikan që kryeson forcat e NATO-s në Afganistan, John Nicholson, paraprakisht ishte shprehur se lidhjet e Rusisë dhe Iranit mund t’u ofrojnë talebanëve një mjedis i cili do të mund ta shkatërronte stabilitetin në rajon.