NATO hap një qendër trajnimi në Gjeorgji, tensionohet Moska

NATO hapi sot një qendër trajnimi në Gjeorgji, ish-Republikë sovjetike e Kaukazit që aspiron që prej disa vitesh për një anëtarësim në Aleancën Atlantike, duke prekur kështu interesat e Moskës që e denoncoi menjëherë si një provokim.

Bota

27/08/2015 20:53

Kjo qendër, inauguruar në Krtsanissi, pranë Tbilissit, do të ndihmojë Gjeorgjinë të vazhdojë përpjekjet në kuadër të modernizimit të forcave të armatosura dhe për t’i bërë më të fortë përballë sfidave të shekullit të XXI”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në ceremoninë e hapjes.

“Do të jetë gjithashtu e rëndësishme për trajnimin e trupave aleate dhe partnere të Aleancës”, theksoi ai.

Jens Stoltenberg, në vizitë në Gjeorgji që prej të mërkurës, mori pjesë në ceremoni përkrah presidentit gjeorgjian, Guiorgui Margvelachvilid dhe kryeministrit, Irakli Garibachvili.

“Tashmë ka pak më shumë Gjeorgji në NATO dhe pak më shumë NATO në Gjeorgji”, theksoi Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët shtypi me Garibachvilin.

“Gjeorgjia, që aspiron që prej disa vitesh të bëhet anëtare e NATO-s, pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë kundër të cilës ajo ka luftuar në vitin 2008, ka të gjitha mjetet e nevojshme për të bërë progres në kuadër të një anëtarësimi”, theksoi ai.

Irakli Garibachvili theksoi se qendra nuk do të jetë e drejtuar kundër vendeve fqinje, por do të riforcojë sigurinë rajonale, stabilitetin dhe paqen duke përmirësuar gjithashtu profesionalizmin e ushtarëve gjeorgjianë.

Ministria ruse e Punëve të Jashtme e cilësoi si provokim hapjen e qendrës dhe akuzoi NATO-n se po bën përpjekje për të zgjeruar zonën e influencës gjeopolitike.

“Një qendër e tillë ushtarake nga Aleanca Atlantike në Gjerogji do të ishte një faktor i rëndësishëm për detabilizimin e sigurisë rajonale”, konfirmoi zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova./ATSH