NATO do t’i prishë akoma raportet e saj me Rusinë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha sot në Bruksel se nuk ka parë shenjë se Rusia po i respekton përkushtimet e veta lidhur me Ukrainën.

Bota

25/06/2014 18:52

Ai tha se nuk sheh shenja që Rusia po i respekton përkushtimet e veta ndërkombëtare.  

“Me keqardhje them se ne nuk shohim shenja që Rusia po i respekton përkushtimet e veta ndërkombëtare”, tha kreu i NATO-s para gazetarëve, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s në Bruksel.

“Prandaj, sot do t’i rishqyrtojmë raportet tona me Rusinë dhe do të vendosim se çka të bëjmë më tutje”, shtoi Rasmussen.

NATO-ja tashmë e ka pezulluar gjithë bashkëpunimin praktik me Rusinë, pasi ky vend e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës, megjithëse i ka mbajtur të hapura kontaktet e nivelit të lartë.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, para samitit, ka tërhequr vërejtjen se mbështetja për sanksione më të ashpra të BE-së kundër Rusisë mund të rritet nëse Moska nuk vepron për ta ulur dhunën në pjesën lindore të Ukrainës dhe për ta mbështetur planin e paqes, të paraqitur nga presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.