Natali Velija nuk mundi të hapë e-mailin e saj

Natali Velija, e akuzuara për keqpërdorim të parave të kompanisë austriake OeSD, firmë kjo që ishte përzgjedhur nga MPB-ja për të prodhuar pasaportat biometrike të Kosovës, u ankua të mërkurën se nuk mundi ta hapë e-mailin edhe pse kjo gjë iu lejua nga gjykata.

Lajme

01/10/2014 18:38

Si raporton Kallxo-.com, Velija tha në seancë se të martën nuk kishte mundur t’i qasej adresës së saj elektronike,  ngase, sipas saj, fjalë-kalimi nuk funksiononte.

“Na kanë thënë se qasja mund të bëhet përmes telefonit, telefoni ta çon kodin dhe pastaj mundemi me u qas në e-mail”, shtoi Velija.

Palët u pajtuan që në fund të seancës asaj t’i mundësohet qasja në postën elektronike me ndihmën e një eksperti të teknologjisë informative, në prani të avokatit të saj dhe prokurorit të çështjes.

“E-mailat që po i kërkoj kanë të bëjnë me ryshfetin dhe krejt rastin për të cilin po akuzohem”, deklaroi Velija, duke kërkuar që përsëri t’i mundësohet qasja në postën elektronike.

Velija dhe avokati i saj, Ali Beka, dëshirojnë të nxjerrin e-mailat që pretendojnë se do të tregojnë që persona të tjerë kanë marrë ryshfet nga OeSD-ja.

Avokati Beka kritikoi prokurorin për hetim selektiv.

“Prokurori ka lënë anash të gjithë ryshfetmarrësit, bile-bile edhe gazetat po shkruajnë dhe qytetarët e dinë ku kanë përfunduar disa para, e prokurori po sillet rreth nesh”, tha Beka.

Gjyqtari Malcolm Simmons tha që shpreson se hetimet të kryhen edhe për ryshfet.

“Prokurori të hetojë për ryshfet që Beka dhe Velija kanë thënë, shpresoj që të gjeni prova që vërtetojnë ryshfetin”, tha Simmons.

Prokurori, Andreë Hughes u mbrojt me fjalët se ryshfeti nuk është pjesë e aktakuzës.

Beka si provë për ryshfet e propozoi një faturë me të cilën tha se dëshmon që Bujar Canolli kishte marrë disa mjete nga OeSD-ja në emër të disa punëve dhe atë vetëm dy ditë pasi kishte hapur një biznes.

Bujar Canolli duhej të dëshmonte të martën, por gjykata atë ditë dha shpjegim se ai ndodhej jashtë vendit.

Në fund të seancës, mbrojtësi i Betim Blakajt, avokati Bajram Tmava tha se mbrojtjen do ta japin në heshtje.

Gjykimi vazhdon të enjten. (Kallxo.com)