Nata e Bale

Gareth Bale thotë se fitorja e Real Madridit ndaj Barcelonës në finalen e Copa del Rey ishte natë e përkryer. Ai tregon se si ia doli të fitonte duelin me Marc Bartran, tek goli vendimtar i skuadrës Los Blancos.

Sport

17/04/2014 18:09

Ylli i Real Madridit, Gareth Bale e përshkroi fitoren 2:1 ndaj Barcelonës në finalen e Copa del Rey si “natë të përkryer” pasi realizoi golin e fitores për triumfin e madh dhe trofeun e parë me klubin e tij të ri.

Reprezentuesi uellsian ndihmoi Realin të fitojë titullin e 19-të në Copa del Rey duke shënuar golin vendimtar pas një depërtimi të gjatë dhe duelit të fituar me Marc Bartran, para se të mposht portierin Jose Manuel Pinto.

“Më është dashur të vrapoj ashtu, Bartra më shtyu dhe u mundua të më bllokonte rrugën, por ia dola. Mu desh të vrapoj rreth tij”, deklaroi Bale për uebfaqen zyrtare të Real Madridit.

“Ishte ndjenjë shumë e mirë të shënoj gol, por edhe më tepër sepse fituam ndeshjen dhe titullin. Jam shumë i lumtur me titullin e parë me Realin. Mendoj se mund të fitojmë edhe të tjerë këtë sezon. Atmosfera ishte fantastike. Ka qenë një natë e përkryer. Kjo fitore është për të gjithë tifozët dhe shpresojmë të kalojmë edhe shumë të tjera. Ne funksionuam mirë si ekip”, përfundoi ai.