Naser Osmani ik nga seanca gjyqësore, shkon në Kuvend

Në gjykimin e Naser Osmanit dhe shtatë të akuzuarve të tjerë rreth privatizimit të fabrikës “FAN” në Podujevë, është ndërprerë seanca gjyqësore pasi që i akuzuari, deputeti Naser Osmani në pjesën e pasdites nuk u paraqit në sallë të gjykatës.

Lajme

01/06/2018 14:43

Në kohën për të cilën akuzohet, Osmani ka qenë anëtar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Për pjesën e paradites së sotme, mbrojtësi i Naser Osmanit, avokati Besnik Berisha i kërkoi trupit gjykues që për shkak të disa obligimeve që ai kishe në orët e paradites të ndërrohej rendi i marrjes në pyetje.

Ky gjykim bën pjesë nv listën e rasteve që janë shënjestruar nga Komisioni Europian si kusht që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave.

Shqyrtimi kishte qenë i paraparë që të fillonte me marrjen në pyetje të të akuzuarit të parë Naser Osmani por me kërkesën e avokatit Besnik Berisha, trupi gjykues e aprovoi kërkesën e avoaktit që për pjesën e paradites të fillojë marrja në pyetje me të akuzuarin e dytë Bahri Shabani.

I akuzuari Bahri Shabani përfundoi marrjen në pyetje në pjesën e paradites.

Pas pauzës se drekës, trypi gjykues u kthye në sallë dhe pas konstatimit të palëve në procedurë, në sallë munguan i akuzuari Naser Osmani si dhe mbrojtësi i tij Besnik Berisha.

Naser Osmani u kontaktua në telefon nga avokatët e tjerë të pranishëm ne sallë. Osmani u kishte thënë atyre se për momentin ndodhej në seancën në Kuvendin e Kosovës por po të jetë e nevojshme do të paraqitet përseri në gjykatë.

“Kemi bërë ndryshimin e marrjes në pyetje vetëm për pjesën e paraditës”, tha kryetari i trupit gjykues, Shasivar Hoti.

“Largimi nga gjykatorja edhe mos prezenca në sesionin e pasdites paraqet pengesë për mos vazhdim të seancës” shtoi Hoti i cili në mungesë të kushteve procedurale për të vazhduar më tej, e nderpreu seancën dhe vazhdimin e të njëjtës e caktoi për datën 13 korrik ku pritet ta japë mbrojtjen i akuzuari Naser Osmani.

Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 7 persona të tjerë po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë.

Në kohën për të cilën akuzohet, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Agron Kamberi dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe Agim Deshishku si blerës i fabrikës “Fan”./kallxo.com/