Naser Kelmendi deklarohet i pafajshëm për akuzat që i ngarkohen

Sot pasdite, në Sallën e improvizuar të Gjykatës Themelore të Prishinës, ka përfunduar seanca e parë gjyqësore e gjykimit ndaj Naser Kelmendit, i cili akuzohet për një sërë veprash penale, duke përfshirë edhe atë për vrasje. Ai para trupit gjykues ka deklaruar se ndihet i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet. 

Lajme

16/01/2015 18:49

Pasi që të pandehurit, Naser Kelmendi, prokurori Andrew Hughes ia kishte lexuar aktakuzën, kryetarja e trupit gjykues në këtë rast, Ana Adamska Gallant e kishte pyetur Naser Kelmendin se si deklarohet lidhur me akuzën. “Unë në asnjë pikë të aktakuzës nuk e ndiej veten fajtor” ishte deklarimi i Kelmendit i cili shtoi se, pres me padurim që Gjykata ta vërtetoi pafajësinë e tij. 

Ai akuzohet për disa vepra penale, duke përfshirë “ krimin e organizuar, udhëheqjen e grupit të krimit të organizuar dhe vrasjen e rëndë të Ramiz Delaliçit “Qellës”, bosit të grupit kundërshtarë të kirmit të organizuar në Sarajevë, në vitin 2007.” Po ashtu, Kelmendi akuzohet se ka udhëhequr dhe ka mbikëqyr punën e grupit të organizuar të krimit i cili ka prodhuar, përpunuar dhe ka shitur substanca narkotike nga Turqia në shtetet e Bashkimit Evropian. Ai akuzohet për posedimin e 100 kilogramë heroine, 150 mijë tabletave Ecstasy dhe 2,5 tonelata të anhidridit të acidit acetik, për prodhimin e narkotikëve. 

Naser Kelmendi është arrestuar nga Policia e Kosovës, në maj 2013, në bazë të fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga organet qeveritare të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nga atëherë gjendet në paraburgim. Përkundër kërkesës së qeverisë së Bosnjës dhe Hercegovinës për ekstradimin e Kelmendit, kjo nuk ka ndodhur sepse sipas ligjeve të Kosovës, një qytetarë i Kosovës nuk mund t’i ekstradohet asnjë shteti i cili nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës dhe me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për ekstradim. 

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës Kosovës (PSRK), në korrik 2014, e ka ngritur akuzën kundër Naser Kelmendit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku sot u mbajt edhe seanca e parë gjyqësore. Gjatë ditës, avokati i të pandehurit Kelmendi, Besnik Berisha për AA deklaroi se, aktakuza e lexuar sot është aktakuza e kopjuar e dikurshme, nga Bosnja dhe Hercegovina, që bazohet në deklaratat e kriminelëve të dënuar me dënime të gjata kohore, të cilët kanë dashur t’ia shkurtojnë vetës dënimet, raporton Anadolu Agjency. 

“Besojë se procesi do të jetë i drejtë, por problem do të jetë periudha kohore e procesit gjyqësor i cili do të zgjatet, për arsye se shumica e dëshmitarëve që ne dëshirojmë t’i thërrasim janë nga BeH” tha Berisha duke shpjeguar se vonesat do të shkaktohen për shkak të regjimit të dyanshëm të vizave, të cilat i aplikojnë Kosova dhe Bosnja e Hercegovina që ende nuk e ka njohur Kosovën. 

Avokati Berisha po ashtu ka deklaruar se, në aktakuzë nuk përmendet asnjë emër tjetër përveç i Naser Kelmendit, pasi që Prokuroria e kishte thyer rregullën kur fillimisht, në aktakuzë kishte përmendur emrat e njerëzve që nuk janë intervistuar në cilësin e të dyshuarve. Në aktakuzën e parë, të paraqitur në korrik 2014, si bashkëpunëtor të Naser Kelmendit janë përmendur: Fahrudin Radonçiç, Ekrem Lekiç, Muhamed Gashi, Millovan Jeremiç, Ljubisha Buha, Milan Ostojiç, Naser Oriç dhe tjerët. 

Gjatë asaj seance, në korik të 2014-tës, Naser Kelmendi kishte hedhur poshtë të gjitha akuzat duke i cilësuar si të motivuara politikisht sepse ai ka qenë “sponsor i politikanëve të cilët më nuk janë në pushtet” ndërsa Fahrudin Radonçiq është politikani, emri i të cilit lidhet me Naser Kelmendin. 

Prokuroria Speciale po ashtu ka cekur se, me 1 qershor 2012, Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka identifikuar Naser Kelmendin si tregtar të narkotikëve, në përputhje me Ligjin për “bosët e huaj për tregti me narkotikë”, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë, Naser Kelmendi akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.