Napoli, provë serioze për t’u rikthyer në krye të Serie A

Napoli pret sonte Lazion në Stadio San Paolo me fillim nga ora 20:45.

Sport

10/02/2018 09:54

31 maj i vitit 2015 dhe në Stadiumin ‘San Paolo’ luhej akti i fundit i edicionit të 113 të kampionatit italian, me takimin Napoli-Lazio, duel ku të kaltërve iu nevojiteshin patjetër 3 pikët, për t’u kualifikuar për në Champions. Historia dihet, pas disavantazhit të dy golave në fraksionin hapës Gonzalo Higuain barazoi shpejt rezultatin, në fillimin e pjesës së dytë, por gjithsesi sulmuesi argjentinas shpërdoroi nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe falë triumfit 4-2, Lazio ia doli mbanë për të siguruar një biletë luksi për në shfaqjen më të rëndësishme në Kontinentin e Vjetër, në rang klubesh, menjëherë prapa dyshes Juve – Roma.

Që nga ajo kohë Napoli i ka mundur “bardhekaltërit” për qejf dhe në përballjet ndërmjet tyre nuk ka pasur aspak histori, megjithatë në edicionin e sivjetshëm duke lënë mënjanë kampionët në fuqi të Juventusit, Lazio ndoshta përbën pengesën tjetër më të rrezikshme për ekipin e Sarrit. 7 fitore radhazi për “zonjën e vjetër” në çfarëdo lloj situate do të kishin mjaftuar për të rrëmbyer kryesimin e Serisë A, megjithatë pavarësisht presionit gjithmonë e më në rritje, Napoli në krahun tjetër iu është kundërpërgjigjur “bardhezinjve” po me 7 fitore rresht, ecuri që vazhdon të mbajë përpara, ndonëse me vetëm një pikë më tepër, pikërisht klubin nga Campania.

19 fitore dhe 3 barazime, që si për ironi të fatit janë me shifra të njëjta 0-0, ndaj kundërshtarëve të tillë si Inter, Chievo dhe Fiorentina, ndërsa disfatën e vetme skuadra e Sarrit e ka pësuar pikërisht me rekordmenët e futbollit italian, afërsisht dy muaj e gjysmë më parë.

Edicionin e kaluar Napoli regjistroi një rekord absolut me plot 86 pikë të grumbulluara në 38 javë, pra me një mesatare 2,26 pikë për ndeshje, sidoqoftë pavarësisht eliminimit të shpejtë në Champions këtë sezon Napoli po fluturon vërtet shumë lart, teksa numëron madje plot 12 pikë më shumë sesa periudha koresponduese e vitit të kaluar pas po 23 javëve.

Pas goditjes që mori në kavilje në derbin me Beneventon, Dries Mertens për fat të mirë është grumbulluar me ekipin dhe pritet të zbresë rregullisht në fushë nga minuta e parë, sidoqoftë në anën tjetër “bardhekaltërit” kanë rekuperuar gjithë lojtarët e rëndësishëm dhe natyrisht skuadra e Simone Inzagit do të bëj çmos për të ndalur ecurinë negative, pas humbjeve radhazi me Milanin dhe Xhenoan, transmeton “SuperSport.al”.

Një ecuri e tillë ka bërë që Lacio të mbetet pranë dyshes Inter – Roma, kështu që deri në fund të kampionatit me shumë gjasa kjo trio do të ketë vërtet shumë punë dhe do të vijojë bashkë, për të përcaktuar përfundimisht edhe ekipin që është tepër në shkallët e sipërme.

Kthimi i yllit Milinkovic – Savic, si dhe prania e golashënuesit më të mirë të Serisë A, Ciro Immobile, e intrigojnë akoma më shumë këtë sfidë, për më tepër të enjten e ardhshme Lacio do të masë forcat në Bukuresht me Steauan, ndërsa Napoli do të presë në shtëpi Lajpcigun.

Në orën 20:45, në “San Paolo” pritet një ndeshje spektakolare ndërmjet dy skuadrave që konsiderohen me të drejtë si shumë sulmuese, këtë e konfirmojnë edhe vetë numrat, gjithsesi këtë radhë ku i dihet, diferencën mund ta bëjnë mbrojtjet.

Në njërin krah është Thomas Strakosha një ndër portierët më të mirë të kampionatit të sivjetshëm, ndërsa në anën tjetër një ndër shtyllat e mbrojtjes napolitane konsiderohet lojtari tjetër i përfaqësueses kuqezi Elseid Hysaj, që është padyshim pjesë shumë e rëndësishme e mbrojtjes më të fortë të Serisë A, repart që ka pësuar vetëm 14 gola në 23 javë kampionat.

Më herët, në orën 15:00 Milani do të luajë transfertën e dytë radhazi, këtë herë ndaj Spalit, ku do të kërkojë të rikthehet te fitorja, pas barazimit 1-1. Crotone e Arlind Ajetit, pas barazimit të marrë ndaj Interit, do të përballet me një tjetër skuadër zikaltër, Atalantën e Etrit Berishës. Sfida do të zhvillohet në orën 18:00.