Napoli – Juventus, këtë nuk e ka pritur askush

Dueli i “Scudetto” midis Napolit dhe Juventusit vazhdon me një ritëm marramendës.

Sport

19/02/2018 10:37

Napoletanët, me fitoren në shtëpi ndaj SPAL, janë ngjitur në kuotën e 66 pikëve, një më shumë se bardhezinjtë, të cilët regjistruan 65 pikë me fitoren në derbin e Torinos.

“Blues” udhëtojnë me një mesatare prej 2.64 pikësh për ndeshje, çka, nëse vazhdon kështu në projeksion, në fund të sezonit do t’i çojë të besuarit e Sarrit në tejkalimin e “murit” të 100 pikëve. Ritmi do të ishte shumë i ngjashëm me atë të Juventusit të Contes, në sezonin 2013-2014, të cilin “Zonja e Vjetër” e mbylli duke fituar titullin me 102 pikë, shkruan Telesport.

Mesatarja e Juventusit është paksa më e ulët dhe do t’i projektonte bardhezinjtë në kuotën e 98.8 pikëve në fund të kampionatit. Rreziku i shikimit të një ekipi që tejkalon 90 pikë dhe nuk e fiton titullin, një fakt që kurrë nuk ka ndodhur deri më tani në historinë e kampionatit italian, është shumë i lartë kësaj here.

Mund të ndodhë që të dyja skuadrat ta përfundojnë kampionatin me më shumë se 100 pikë, me përplasjen e drejtpërdrejtë, që do të ishte vendimtare. Napoli, duke i fituar të gjitha ndeshjet e mbetura në kampionat, do ta mbyllte në kuotën e 105 pikëve dhe do të fitonte titullin pas 28 vjetësh, ndërsa Juventusi, duke humbur vetëm sfidën e brendshme me napoletanët, por duke fituar të gjitha garat e tjera, do të përfundojë në vendin e dytë me 101 pikë.

Megjithatë, nëse Napoli humbet në Torino, pavarësisht se i fiton të gjitha ndeshjet e tjera, Juventusi i Allegrit do ta mbyllë në vendin e 1, me 104 pikë, ndërsa blutë e Sarrit do të jenë të dytët, me 102 pikë. Sidoqoftë, të dyja ekipet do ta kalonin “murin” me 100 pikë.