Nainggolan: Ky është dallimi i madh mes Messit dhe Ronaldos

“Atë natë ishte diçka e çuditshme, në ajër. Juan Jesus bëri ndeshjen e jetës së tij kundër Messit; fryma e tifozëve…, goli i menjëhershëm i Dzeko… Ishte ndeshja më emocionuese e karrierës sime”, – ka thënë ish-lojtari i Romës, Radja Nainggolan, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, duke folur për eliminimin e Barcelonës nga Champions-i, edicionin e kaluar, dhe largimin e tij të papritur nga kryeqytetasit e kalimin tek Interi.

Sport

19/10/2018 13:18

Kur u pyet që të zgjedhë mes Cristiano Ronaldos dhe Leo Messit, belgu ishte i qartë: “Unë zgjedh Leon. Cristiano ka nevojë për ekipin. Messi nganjëherë driblon 4, ose 5 kundërshtarë, shënon gol dhe e fiton i vetëm një ndeshje”.

Megjithatë, me ardhjen e portugezit në Itali, ai tha: “Kjo është një mundësi për t’i dhënë vizibilitet një kampionati, që dukej i humbur. Dhe kjo është nxitje për ne, që të përpiqemi ta mundim atë”.
Nainggolan, gjithashtu, foli për largimin nga Roma, klubi ku luajti për katër vite”, transmeton telesport.

Kalimi i tij tek Interi i befasoi të gjithë, edhe lojtarin vetë. Ai shpjegoi: “Nuk është faji im, të paktën jo në tërësi. Isha i zhgënjyer nga disa sjellje, që nuk mund t’i pranoja. Kisha gabuar me një video të Vitit të Ri, por ata bënë gjëra, pa më thënë mua. Në vend që të flisnim si burra të vërtetë, drejtuesit e Romës nuk e bënë”.