Naim Rexha, zëvendëson Shpend Maxhunin në Polici?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë emëruar Shpend Maxhunin, shef të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Lajme

20/04/2018 18:06

Maxhuni ishte drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ndërsa tani pozita e drejtorit të PK-së mbetet e zbrazët. Në vend të Maxhunit mund të vije Naim Rexha, i cili tani është zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë për operativë.

Ndryshe, Indeksonline me burime raportoi se Rexha do të jetë zëvendësim i Maxhunit.

Kujtojmë, se Rexha karrierën e tij në Policinë e Kosovës e filloi në vitin 2002, fillimisht si zyrtar policor patrullues, ku vazhdoi me angazhimet në sektorët e ndryshëm në kuadrin e stacionit policor Veriu në Prishtinë, ku punoi deri në fund të vitit 2004.

Në Shkurt të vitit 2012, Naim Rexha u emërua në ushtrimin e detyrës së Ndihmësdrejtorit të përgjithshëm përpersonel dhe trajnime, ndërsa Zëvendësdrejtor i përgjithshëm i policisë për operativë u emërua më 26. Qershor 2012.

Ai diplomoi në Akademinë ushtarake të forcave tokësore në Beograd. Studimet e magjistraturës në lëmin e kriminalistikës dhe studimeve të sigurisë i përfundoi në Fakultetin e shkencave kriminalistike dhe studimeve të sigurisë të Universitetit të Sarajevës. Ka vijuar një mori trajnimesh profesionale në fushën e menaxhimit të sigurisë. Ka marrë pjesë në disa seminare e konferenca shkencore duke u paraqitur edhe me kumtesa individuale nga fusha e sigurisë.

Naim Rexha gjatë punës së tij është angazhuar në shumë detyra shtesë në kontribuim të ngritjes dhe avancimit të performimit profesional të Policisë së Kosovës. Për përkushtimin dhe sukseset e treguara është shpërblyer me shumë Mirënjohje dhe Medaljen për shërbim besnikërie.

Jeton në Bardhosh të Prishtinës, me bashkëshorten Lumnije dhe vajzat Dardana, Ulpiana, Albana e Ariana.