Nagavci thotë se të dorëhequrit gabuan me gazin lotsjellës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, e ka konsideruar të gabuar vendimin e Grupit të Deputetëve të Pavarur për të mos iu bashkuar VV-së në mënyrën e protestimin për të hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

24/03/2018 22:34

Ajo e ka quajtur të gabuar vendimin e të dorëhequrve teksa ka kujtuar se disa prej deputetëve të VV-së në legjislaturën e kaluar kanë protestuar pikërisht duke e përdorur gazin lotsjellës.

“Mendoj që kjo ka qenë një veprim i gabuar sepse ne kemi qenë bashkë në këtë nismë dhe një numër i deputetëve edhe në legjislaturën e kaluar kanë vepruar në të njëjtën mënyrë. Por vetë mënyra qysh është  vepruar madje edhe ndarja e Donikës dhe kalimi i saj në AAK në njëfarë forme ia ka mundësuar në një farë forme kalimin demarkacionit”, ka thënë Nagavci për Insajderin.

Ajo ka thënë se me votën pro të Kadajt-Bujupit për ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi i është bërë Kosovës një dëm shumë i madh, teksa ka kritikuar edhe fjalimin e shkurt të Visar Ymerit në debatin për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës.

“Nëpërmjet Donikës mendoj që i është bë një dëm shumë i madh vendit dhe ata kanë qenë të vetëdijshëm për këtë sepse edhe ata kanë treguar se janë kundër dhe sa e dëmshme është për Kosovën. Ata kanë votuar kundër por nuk morën pjesë në mënyrën protestuese që ne e bëmë dhe në anën ne patëm edhe një debat në Kuvend dhe Visari e pat vetëm një fjalim të shkurt për një temë tejet të rëndësishme aq e rëndësishme sa edhe ‘zajednica’ që po pritet të diskutohet në ditët në vijim”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se shtatë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje ishin arrestuar për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës duke përfshirë edhe Nagavcin në seancën e së mërkurës. Demarkacioni u ratifikua në Kuvend kur kishte mbetur i vetëm Glauk Konjufca në sallë.