Nagavci: Asnjë klasë nuk është e mbingarkuar me nxënës

Viti shkollor 2015/16 në Prishtinë po përfundon me sukses në bazë të rezultateve të deritashme. Po ashtu, numri i nxënësve nëpër klasat e shkollave në kryeqytet ka arritur të zbritet në bazë të Udhëzimeve Administrative, të cilat e rregullojnë këtë në maksimumi 35 nxënës.

Lajme

28/05/2016 15:51

Drejtoresha e Departamentit të Arsimit në kryeqytet, Arbërie Nagavci, ka thënë se ka arritur të ulet numri nga rreth 50 nxënës sa janë regjistruara para 3-4 viteve nëpër klasa në vetëm 35.

Nagavci në një intervistë për Kosovapress-in, ka folur edhe për çështje tjera si kontrollën sistematike shëndetësore të nxënësve e.t.j.

“Edhe pse viti shkollor akoma nuk ka përfunduar, gjithsesi mund ta konsiderojmë një vit të suksesshëm sa i përket aktiviteteve të shumta, mbarëvajtjes së procesit mësimor, realizimit në përgjithësi të aktiviteteve të planifikuara, ndërsa, sa i përket suksesit të arritur, gjithsesi se duhet të presim përfundimin e vitit shkollor, por bazuar në raportet e deritanishme në përgjithësi suksesi është i kënaqshëm”, ka thënë ajo.

Nagavci ka thënë se me uljen e numrit të nxënësve në klasa është rritur edhe cilësia në mësim.

“Një ndër arritjet shumë të rëndësishme mendoj unë, është pikërisht kufizimi i numrit të nxënësve në paralele në bazë të UA-së së MASHT-it. Në dy vitet e fundit në shkollat e arsimit të mesëm të lartë nuk ka pas asnjë paralele të vetme dhe vazhdon të mos ketë që ka mbi 35 nxënës në klasë, aq sa është e lejuar dhe sipas raporteve të mësimdhënësve kjo ka ndikuar edhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe krijimit të kushteve sepse në një të kaluar jo të largët, do me thënë tre-katër vitet e fundit, ne kemi pas edhe deri në 50 nxënës në një paralel, pra, gati se është përgjysmuar numri. Në këtë drejtim gjendja është duke u përmirësuar vazhdimisht, sigurisht se në klasat ekzistuese ku kanë qenë të formuara paralelet me numrin më të madh, ne nuk kemi mund të ndërhyjmë dhe të ndajmë paralelen por edhe në klasat e para kemi qenë shumë të vëmendshëm sa i përket regjistrimit”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës tashmë është duke e aplikuar sistemin e shpërndarjes së nxënësve në bazë të hartës zonale, që do të thotë se nxënësit do të kenë të drejtë të regjistrohen në shkollën më të afërt të lagjes.

“Sivjet ne e kemi përcjellë edhe hartën zonale për të gjitha shkollat, është bërë në bashkëpunim me drejtorinë e urbanizmit dhe në këtë hartë, secila shkollë e din saktësisht zonën e mbulimit që e ka shkolla e vet në bazë të kapaciteteve që ka, janë përcaktuar të gjitha rrugët se ku duhet të shkojnë banorët apo fëmijët që banojnë në ato rrugë dhe unë besoj se kjo do të jetë lehtësi shumë e madhe. Udhëzimi që i është dhënë shkollave ka qenë që sidomos te ato ku kanë një numër më të madh të nxënësve, shembull shkolla “Ismal Qemali”, e cila ka një numër jashtëzakonisht të madh, është shkolla me numrin më të madh të nxënësve në gjithë Republikën e Kosovës, aty  kemi përcaktuar saktë rrugët në mënyrë që pjesa tjetër të shkoj në shkollën “Naim Frashëri”, sepse ka banorë të Lagjes Mati 1, të cilët e kanë të njëjtën distancë si me shku në shkollën “Ismail Qemali”, ashtu edhe në shkollën “Naim Frashëri” apo në shkollat tjera që janë afër”, është shprehur drejtoresha Nagavci, duke thënë se shpreson se vitin e ardhshëm shkollor do të përmirësohet edhe më shumë gjendja në këtë drejtim.

Drejtoresha Nagavci ka shtuar se Komuna ka në plan edhe ndërtimin e disa shkollave të reja në lagje të ndryshme, por ka shtuar se në disa të tilla kanë ngecur punët për shkak të problemeve pronësore.

“Çështje tjetër që besojmë se do të arrihet të kryhet deri në vitin e ardhshëm është ndërtimi i shkollave të reja. Të iu them të drejtën kjo ka qenë njëra prej sfidave, në lagjen “Mati 1” është nënshkruar tashmë kontrata por për shkak të problemeve pronësore aty nuk kemi mundur të vazhdojmë punën dhe jemi në kërkim të një zgjidhje. Të njëjtën e kemi pas probleme pronësore, përcaktim të lokacionit që mund të vazhdohet puna edhe në lagjen Qëndresa, e cila tashmë gjegjësisht në Veternik, ku ka një numër të madh të banorëve dhe fëmijë të cilët shkollën e kanë goxha më larg në shkollat tjera për shkak se nuk kanë një shkollë më të afërt. Problemi me ndërtim kemi pas edhe në lagjen Arbëria, do me thënë mund të them se sa i përket drejtorisë sonë sfidat kryesore kanë qenë pikërisht këto në ndërtim të shkollave të reja”, ka thënë Nagavci.

Mirëpo, puna ka ecur mirë sa i përket infrastrukturës ekzistuese, e cila është përmirësuar me renovime të ndryshme, si dhe pajisje të kabineteve të shumta.

Po ashtu, një ndër aktivitetet më të rëndësishme që Komuna i ka filluar, sipas saj, është kontrolla sistematike shëndetësore e nxënësve, e cila po bëhet në bashkëpunim me drejtorinë e Shëndetësisë.

Ajo ka thënë se nga kontrolla e rregullt e fëmijëve, Komuna e ka krijuar edhe një databazë me të gjitha të dhënat e fëmijëve të cilat do t’u shërbejnë atyre çdo herë.

“Kjo databazë e të dhënave mundëson përcjelljen e fëmijës nga viti në vit dhe ajo që është më e rëndësishme se ka pas edhe raste që janë identifikuar dhe fëmijë që kanë pasur sëmundje të ndryshme të cilat nuk kanë qenë lehtë të vërejtshme nga prindërit e tyre, kështu që intervenimi i hershëm ka ndikuar edhe në përmirësimin e shëndetit të tyre apo eliminimin e sëmundjeve apo simptomave të para të sëmundjeve të ndryshme. Kështu që mendoj që ko është njëra prej punëve më të mira, shkollat tashmë kanë një bashkëpunim shumë të mirë me sektorin e shëndetësisë, janë krijuar ambiente të cilat janë të përshtatshme për punë, hapësira të veçanta, organizohet në mënyrë shumë të mirë sa i përket çështjes organizative do me thënë që nuk pengohet procesi mësimor dhe besoj se tashmë kjo është një traditë që do të vazhdoj edhe më tutje sepse veç se kanë filluar të shihen rezultatet e para dhe s ai përket shëndetit të fëmijës kjo është më e rëndësishmja”, ka deklaruar ajo.

Përveç kontrolleve, Komuna e ka pajisur me mjete shëndetësore edhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë me mjetet e nevojshme për t’i trajtuar problemet e fëmijëve që dalin nga këto kontrolla./Kp