Naftëtarët shkelin ligjin, pasojnë vërejtjet e fundit e pastaj gjobat

Edhe pse që nga nëntori i vitit 2012 është marrë vendim që të gjitha pikat e derivateve të naftës të pajisen me arka të veçanta fiskale, me qëllim të shmangies së evazionit fiskal, një gjë të tillë ende nuk e kanë bërë shumë prej kompanive të derivateve të naftës. 

Lajme

02/11/2014 11:21

Një pjesë e tyre vazhdojnë të operojnë pa vënë në funksion fiskalizimin e veçantë, duke bërë që ato kompani të cilat tashmë janë pajisur me to, të ndihen të pabarabarta në treg. Zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) pohojnë se ata do t’i shterin të gjitha mundësitë në mënyrë që t’i bindin bizneset që të fiskalizohen. Në të kundërtën,  paralajmërojnë se do të ndërmarrin masa nga gjobitja e deri tek mbyllja e bizneseve.

Afrim Konjufca, zyrtar në “Hib Petrol”, ka thënë për KosovaPress se ata kanë bërë fiskalizimin e veçantë dhe fakti që shumë kompani tjera operojnë pa e bërë një gjë të tillë po i vë ata në pozitë të pabarabartë dhe po i dëmton.

“Ne i kemi zbatuar kërkesat e legjislacionit për fiskalizimin qysh nga fillimi i vitit 2013. Megjithatë, jemi në dijeni se një numër i bizneseve në Kosovë, që merren me tregtinë e derivateve të naftës, ende nuk janë fiskalizuar dhe kjo dihet botërisht. T’ju themi të drejtën, ne kemi shfaqur pakënaqësinë tonë pranë organeve të ATK lidhur me këtë. Sepse nga njëra anë ne kemi bërë shpenzime të konsiderueshme për fiskalizimin, diku mbi 100 mijë euro deri tani”, tha ai.

Konjufca më tej thekson se këto arka fiskale janë shumë të sofistikuara dhe nuk lejojnë keqpërdorime, gjë që i vë ata në një mënyrë në avantazh në aspektin e besueshmërisë ndaj administratës tatimore, konsumatorëve dhe ndaj partnerëve të tyre afarist.

Por, ai shpreson që së shpejti të gjitha kompanitë do të fiskalizohen dhe atëherë të gjithë do të jenë të barabartë në treg.

“ATK kohëve të fundit ka bërë dhe një apel të fundit që fiskalizimi të përfundojë në muajin shtator, apo në fund të tetorit. Na mban shpresa që edhe të tjerët do të fiskalizohen së shpejti dhe do të jemi të barabartë”.

Ndërkaq, Nahit Sharku, zv. drejtor i përgjithshëm i Departamentit të operacioneve përmbushëse në ATK, pohon se ata po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta realizojnë në tërësi projektin e arkave fiskale. Ai madje thotë se kanë pasur takime edhe me përfaqësues të bizneseve, të cilët i kanë njoftuar edhe për uljen e çmimeve të arkave fiskale dhe se kanë marrë premtime nga ta se do ta respektojnë ligjin dhe do të fiskalizohen.

“Ne do të vazhdojmë përmes inspektorëve që të monitorojmë këtë projekt. Për qëllim të fiskalizimit ATK ka mbajtur një takim me përfaqësues të bizneseve dhe përfaqësues të odave ekonomike, ku kemi diskutuar rreth projektit të fiskalizimit, të arriturat dhe obligimet që na presin, që bashkërisht me përfaqësues të biznesit të përfundojmë procesin e fiskalizimit. Unanimisht dhe nga ana e përfaqësuesve të bizneseve është thënë se edhe ata janë për fiskalizim dhe do të vazhdojnë të respektojnë ligjin për fiskalizim. Mirëpo, mbi të gjitha ka pasur ankesa përsëri , ato të vazhdueshme rreth çmimit. Ne i kemi njoftuar që ka një ulje të çmimeve të arkave fiskale”, tha ai.

Edhe në shoqatën e operatorëve të licencuar për arka fiskale thonë se disa kompani të licencuara tashmë kanë bërë ulje të çmimeve. Ata theksojnë se çmimi për dy dispenserë është 3,950 euro, ndërkaq më i larti me 8 dispenserë është 6,499, përderisa në tërë Kosovën janë vetëm 8 pika të shitjes që kanë nga 8 dispenserë. Sipas zyrtarëve të kompanive për fiskalizim tashmë çmimi nuk është arsye për mosfiskalizim. Ata theksojnë se Administrata Tatimore duhet të jetë më aktive në këtë drejtim dhe të detyrojë naftëtarët të fiskalizohen. Sipas tyre, shumë kompani të naftës deklarojnë se problem për ata nuk është më çmimi, por ata nuk e shohin të udhës të instalojnë arkat fiskale pa qenë të detyruar nga Administrata Tatimore.

Nahit Sharku thekson se në rast se naftëtarët vazhdojnë dhe më tej të mos pajisen me këtë fiskalizim të veçantë, atëherë ATK-ja do të jetë e detyruar të marrë masa, nga gjobitja e cila parashihet me ligj, e deri tek mbyllja e biznesit.

“Ne sigurisht se do të kemi dhe një plan të veçantë, për pjesën tjetër të zbatimit të këtij projekti. Dhe, normalisht që ne do të bëjmë edhe nga një vizitë tek të gjitha bizneset që merren me shitjen e derivateve të naftës dhe do të konsiderojmë këtë vizitë si vërejtje të fundit. Si njoftim të tyre për obligim të tyre dhe nëse ata nuk e respektojnë kërkesën tonë edhe pas kësaj vizite të inspektorëve që do t’i bëhet, atëherë do të fillojmë në përpikëri zbatimin e ligjit. Duke filluar me shqiptimin e gjobave, tërheqjen e numrit fiskal, por është edhe ajo e fundit, që ne nuk e dëshirojmë, mbylljen e biznesit”, tha ai..

(KosovaPress)