Naftëtarët kanë një arsyetim pse në Kosovë nuk ulet çmimi i naftës

Në gjithë botën çmimi i naftës ka rënë në mbi 50 për qind, por në Kosovë ulja e çmimit është përgjysmë më e vogël. Naftëtarët për këtë fajësojnë mungesën e rregullatorit të çmimit. 

Lajme

05/01/2015 15:54

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një prononcim për lajmi.net, për mos ulje të çmimit të naftës, njëjtë si në gjithë rajonin, fajëson mungesën e rregullatorit të çmimeve. 

Për mos ulje të çmimit të naftës, janë ngritur dyshime se naftarët kanë bërë marrëveshje të fshehtë.

Eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, në një koment në Facebook, ka thënë se derisa në botën ka rënie të çmimit të naftës në masën 54%, në Kosovë rënia nuk po kalon as 16%.

Abdixhiku thotë se, ose naftëtarët janë marrë vesh mes vete, ose nuk ka konkurrencë të mjaftueshme mes furnitorëve.

Por kryetari i naftëtarëve e mohon këtë, dhe thotë se nëse ka dyshime për këtë, atëherë organet kompetente le të fillojnë hetimin.

Ai problem për këtë e sheh mungesën e rregullatorit të çmimeve, gjë për të cilën thotë se u kanë bërë kërkesë disa herë institucioneve të vendit.

Berjani pretendon se rregullatori i çmimit që do të siguronte një treg liberal të barabartë dhe pa mundësi për manipulime në emër të çmimeve.

Përkundër konkurrencës së mjaftueshme, Berjani thotë se tregu është i çrregulluar pasi shumë kompani shesin naftën nën çmimin e furnizimit.

Ai apelon tek institucionet që të marrin masa për formimin e rregullatorit, siç tashmë ka ndodhur në vendet e rajonit, pasi sipas tij, kjo do të ndikonte edhe në rritjen e buxhetit të vendit. (lajmi.net)