Nafta vazhdon ta rrokullisë botën

Ditëve të fundit kanë filluar ca të ngritençmimet e karburanteve në Kosovë, rajon dhe më gjerë, aspekt ky i padëshirueshëm për shfrytëzuesit e saj.Nga pamundësia për të përcjellur lëvizjet e çmimeve të naftës në bursa e tregje, qytetari i rëndomtë informatën e parë për rritje/ulje çmimi e merr rëndom në pikat e shitjes së karburanteve.…

Opinion

18/05/2018 13:48

Ditëve të fundit kanë filluar ca të ngritençmimet e karburanteve në Kosovë, rajon dhe më gjerë, aspekt ky i padëshirueshëm për shfrytëzuesit e saj.Nga pamundësia për të përcjellur lëvizjet e çmimeve të naftës në bursa e tregje, qytetari i rëndomtë informatën e parë për rritje/ulje çmimi e merr rëndom në pikat e shitjes së karburanteve.

Dhe në momentin kur qytetari përballet me rritje të çmimit, atëherë kjo pashmangshëm shkakton pakënaqësi ekonomike me pasoja sociale, sepse energjia së bashku me ushqimin dhe ujin janë tre faktorët jetik për njerëzimin dhe kur këto tregje lëvizin ose de-balancohen, atëherë është xhepi i qytetarëve ai që pëson ashtu sikundër që pësojnë ekonomitë anekënd globit.

E pyetja që u intereson qytetarëve dhe afaristëve që shfrytëzojnë karburantet në baza ditore, është se pse kanë filluar të rriten çmimet e karburanteve. Se çfarë është duke ndodhur me çmime të karburanteve në SHBA, Kanada, Rusi, Iran, Arabi Saudite, Irak, Azerbajxhannjë qytetari të rëndomtë në Kosovë mund të mos i bëjë shumë përshtypje, kur e dimë që gjeografikisht jemi shumë larg këtyre zonave që vlojnë nga “ari i zi”. Por realiteti është krejt ndryshe, janë pikërisht zhvillimet në politikat energjetike nëpër vendet prodhuese të naftës ato që ndezin dhe fikin motorët e zhvillimit global.

Shikuar në aspektin global rritja e çmimeve të naftës është në favor të vendeve që zhvillimin e tyre ekonomik e kanë të bazuar në burime energjetike. Por kjo rritje nuk duhet të shkojë pafund, sepse mund të bëhet e papërballueshme. E ekonomitë naftë-prodhuese quhenkonservative sepse zhvillimin ekonomik nuk e bazojnë në inovacion, por në resurse nëntokësore. Këto vende janë, ndër të tjera, Rusia, Arabia Saudite, Kuvajti, Iraku, Irani, Venezuela, Nigeria, Libia, etj.

Ndërkohë që burime energjetike të theksuara kanë edhe Kanada e SHBA-të, Norvegjia, etj, por që ekonomitë e tyre nuk bazohen vetëm në burime energjetike. Sot për sot janë ekonomitë inovative ato që mbretërojnë globin. P.sh. vetëm Iphone, Samsung, Ali Baba, Google, etj, sot për sot kanë qarkullim vjetor prej qindra miliarda dollarësh dhe nëse e masim qarkullimin me vlerë monetare, atëherë përfitimet e firmave të teknologjisë informative dhe rrjeteve sociale janë aq të larta sa që industria e naftës as që mund t’i arrijë ndonjëherë.

T’i kthehemi prapë naftës. Bota në dukje është paqësore në shumicën e pjesëve të saj, por lufta ekonomike për burime dhe tregje energjetikeasnjëherë nuk është ndalur dhe as që do të ndalet ndonjëherë. Dhe duke jetuar nën kësi konstelacione ndërkombëtare të pa-qëndrueshme, shtetet e vogla nuk mund të jenë imune ndaj lëvizjeve të çmimeve të derivateve ashtu siç nuk mund të jenë as shtetet e mëdha në raste të caktuara.

Nuk është aspak çudi që të bie një qeveri p.sh. në Ballkan apo në ndonjë pjesë të botës si rezultat i rritjes së çmimeve të naftës në glob. Kjo sepse rritja e çmimit të naftës mund të bëhet e pa-përballueshme për qytetarët e vendit apo vendeve të prekura. Rritja e çmimeve të naftës ndikon edhe në rritjen e çmimeve të artikujve të konsumit, kjo automatikisht zvogëlon fuqinë blerëse të shtresave të varfëra, rrit pakënaqësinë e popullsisë dhe kjo në të shumtën e rasteve shkakton greva, protesta dhe rënie të qeverive. Dhe kur çmimet e derivateve bëhen të pa-përballueshme, atëherë ekonomia paralizohet e kjo mund të rezultojë edhe me kolaps shteti.

Ose nuk është aspak çudi që një rritje e prodhimit të naftës nga të gjitha shtetet prodhuese të botës do të de-balanconte seriozisht tregjet globale dhe do të mund ta rrëzonte p.sh. Qeverinë në Rusi, Arabi Saudite apo Iran, kjo sepse oferta do të rritej shumë në krahasim me kërkesën për naftë e si rezultat i saj këto vende do të duhej të zvogëlonin eksportin, e kur zvogëlohet eksporti bie prodhimi, kur bie prodhimi, bien të hyrat vjetore dhe me këtë fillojnë pakënaqësitë e përgjithshme qytetare përfshirë trazira të dhunshme që mund të paralizojnë shtetin apo shtetet e prekura.

Nuk është e rastësishme që Rusia dhe Arabia Saudite në bashkëpunim me aleatët e tyre të OPEC-ut (OrganizationofPetroleum-ExportingCountries) kanë filluar që të kufizojnë prodhimin e naftës që nga janari i viti 2017. Dhe qëllimi këtu nuk është për të rritur çmimet se sa për të zvogëluar sasitë e depozituara globale të naftës. Ndërkohë që prej 2014 deri në 2017 Rusia bashkë me Arabinë Saudite dhe vende tjera e rritën prodhimin me qëllim të uljes së çmimit të naftës dhe për të ulur prodhimin e naftës nga SHBA-të dhe Kanada në mënyrë që të uleshin fitimet për këto dy shtete.

Si Rusia ashtu edhe Arabia Saudite janë duke bërë përpjekje në të gjitha drejtimet përfshirë presionin diplomatik në OPEC për të vazhduar me zvogëlimin e prodhimit të naftës edhe gjatë vitit 2018. Ndërsa, OPEC pati vendosur që ky zvogëlim prodhimi të zgjaste jo më shumë se deri në mars 2018. E OPEC-u ka udhëzuar që të rriten çmimet e naftës duke ulur prodhimin nga 2.5 në 1.6 milion barela për ditë.

Në tërë këtë ‘katrahurë’ prodhimi e çmimesh të naftës e luftë tregjesh anekënd globit secili mega-prodhues është duke u munduar ta gjejë veten me qëllim të stabilizimit të çmimeve në tregje dhe stabilizimit të ekonomive të tyre. Arabia Saudite e Rusia janë duke shfrytëzuar rezervat shtetërore për të mbajtur GDP-në stabile si rezultat i rënies së eksporteve të naftës dhe çmimeve bashkë me to.

E pikërisht këto dy shtete janë të interesuara në ribalancimin e tregjeve të naftës për të siguruar stabilitetin e nevojshëm ekonomik edhe ashtu të luhatshëm. Kriza e tregjeve të naftës ka zbehur dukshëm popullaritetin e Presidentit të sapozgjedhur rus, Vladimir Putin dhe një ribalancim i tregjeve të naftës do t’i ndihmonte atij ta mbante autoritetin e tij gjallë. Mbetet të shihet nëse kjo do të funksionojë pa elemente represive.

Se si do të lëvizin çmimet e naftës në të ardhmen është e vështirë të shihet me saktësi. Por, ajo çfarë shihet në horizont është fakti që vende si Kina, India, Brazili, Azia Juglindore, Pakistani, etj, do të shënojnë rritje të importeve të naftës si rezultat i rritjeve ekonomike gjithandej. Ndërsa, nevoja për naftë në perëndim do të jetë e njëtrajtshme me tendencë zvogëlimi importesh si rezultat i zëvendësimit të naftës me energji alternative dhe si rezultat i politikave inovative që do ta përshkojnë perëndimin e pasur gjithandej.

Një gjë është e sigurtë, nëqoftëse shtetet, ekonomitë e të cilave varen nga burimet energjetike si Rusia, Arabia Saudite, Venezuela, Irani, etj, nuk do të mund t’i arrijnë projeksionet e parapara nëpër buxhetet vjetore të tyre, atëherë për pasojë do të përballeshin me zvogëlim të të hyrave dhe rritjes së krizave qeveritare gjithandej.

Sipas një studimi të OPEC-ut përqindja e burimeve energjetike në glob në vitin 2000 ndahej kështu: nafta 40.1 %, gaz 23.3%, në vitin 2010 naftë 38.7 gaz 25.7%, e në vitin 2025 nafta 36.9% dhe gazi 29.9%. Meqë jetojmë në kontinentin e Evropës, atëherë ne si qytetarë të Kosovës, shikuar zhvillimet dhetrendet përreth nuk pritet të përballemi me ndonjë rritje drastike të çmimeve të naftës. Por, sigurisht që lëvizjet e çmimeve të naftës në bursa dhe tregje nëpër botë nuk do të mund të kalojnë pa u ndjerë edhe te ne. E kjo dëshmon më së miri që nafta do të vazhdojë ta rrokullisë botën edhe në të ardhmen.