Nadali triumfon në Barcelonë

Rafael Nadal mposhti në finale në vetëm dy sete adoleshentin grek Stefanos Tsitsipas, duke koleksionuar për herë të 11 në karrierë turneun e Barcelonës.

Sport

29/04/2018 23:26

Rafa mbrojti me sukses kështu 500 pikët e sezonit të kaluar, duke zgjatur mbretërimin e tij në fronin e këtij sporti edhe me dy javë të tjera, pasi në Mastersin e Madridit Nadal është i dënuar për të mbrojtur edhe 1.000 pikë të tjera.

Në fushën qendrore të turneut katalanas, që mban pikërisht emrin e tij, numri 1 i botës humbi me zero game-n hapës, megjithatë në vazhdim kampioni në fuqi humbi vetëm gjashtë pikë gjithsej, duke fituar pesë game radhazi.

“Mbreti i fushave me dhe” përfitoi nga hutimi dhe gabimet pafund të numrit 63 të botës, për të fituar më pas 7 nga 8 game-t e fundit të takimit, duke mbyllur gjithë ndeshjen me rezultatin e thellë 6-2, 6-1 në vetëm 1h18′.

Dy tenistët ndesheshin për herë të parë ndërmjet tyre dhe natyrisht te adoleshenti helen influencoi shumë edhe mungesa e eksperiencës, gjithsesi Stefanos Tsitsipas ish-numri 1 i botës në kategorinë e të rinjve, u bë i pari tenist grek që luajti në finalen e një turneu ATP, që nga koha e Nicholas Kalogeropoulos, 45 vjet më parë në Washington, transmeton SS.

Gjatë javës 19-vjeçari nga Athina eliminoi njëri pas tjetrit tenistë si Diego Schwartzman, Albert Ramos Vinolas, Dominic Thiem dhe Pablo Carreno Busta që konsiderohen specialistë në këtë lloj sipërfaqe dhe në fakt për ecurinë e shkëlqyer në turneun e Barcelonës tenisti grek shpërblehet me katapultimin me afërsisht 20 vende, duke u bërë njëkohësisht edhe tenisti i parë helen që pozicionohet brenda 50 të parëve të botës në këtë sport.

Për Rafën duke përfshirë edhe dy takimet në Kupën Davis kjo ishte fitorja e 19 radhazi në clay court, ecuri fenomenale që e çon Rafën në plot 46 sete rresht pa humbje në fushat me dhe, një rekord absolut për këtë sport.