MZHE prezanton investimin e parë strategjik në sektorin minerar

Kjo kompani prezantimin e ka bërë në Prishtinë para studentëve të Gjeoshkencës së Universitetit “Isa Boletini” nga Mitrovica, kuadro që mund të jenë pjesë e investimeve që planifikon të bëjë kompania, raporton Ekonomia Online.

Lajme

04/04/2017 16:46

Ministri Stavileci tha se arsyeja që kanë dashur të kenë një prezantim të tillë para studentëve është se kompania “Esaan” si synim ka krijimin e vendeve të reja të punës, gjë që mund të jetë një mundësi edhe për studentët që në të ardhmen të jenë pjesë e kësaj kompanie.

“Ne kemi aprovuar Ligjin për Investime Strategjike përmes të cilit do të hapet një dritare e re për të pasur investime. Kemi investitorë të cilët e kanë pa si mundësi të jashtëzakonshme sektorin minerar. jemi në diskutime se si ta gjejmë një balancë në mes të përfitimeve ekonomike ambientit dhe aspekteve sociale. Një projekt është i suksesshëm vetëm atëherë ku ka bilanc ekonomik ambiental dhe social”, ka thënë ministri Stavileci.

Ndërsa, drejtoresha e kompanisë “Esaan”, Serpil Enirel tregoi para 5 vjetësh kjo kompani ka hapur degën e saj edhe në Kosovë dhe ka dy licenca dhe se është në pritje për t’i finalizuar investimet.

“Gjatë kësaj periudhe ne kemi finalizuar studimet tona eksploruese dhe jemi në proces të studimit të fizibilitetit. Ne e kuptojmë që ka fusha tjera shtesë për t’u hulumtuar dhe duam të dimë çka ka, dhe nëse ka diçka për t’u investuar ne duam të investojmë dhe ne kemi një plan të cilin e kemi prezantuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik”, ka thënë ajo.

Rektori i universitetit të Mitrovicës Isa Boletini, Alush Musaj, tha se sektori i minierave në Kosovë shihet vetëm si profesion për meshkujt, por jo edhe për femrat.

“Ne mendojmë që Kosova po shkon kah zhvillimi duke iu ofruar studentëve këto programe si kjo. Këtë mundësi që na u është dhënë sot shpresoj që do ta shfrytëzojnë studentët dhe mendoj që këta student do ta gjejnë në të ardhmen një Kosovë më të zhvilluar”, theksoi Musaj.