Mustafi nuk di asgjë për Juventusin

Mbrojtësi i Sampdorias, Shkodran Mustafi thotë se nuk di asgjë për interesimin e Juventusit. Futbollisti shqiptar insiston se për afatin kalimtar përkujdesen menaxheri dhe babai i tij.

Sport

29/04/2014 10:06

Mbrojtësi i Sampdorias, Shkodran Mustafi ka theksuar se nuk është në njohuri rreth spekulimeve se kërkohet nga kampioni i Italisë, Juventus.

Futbollisti shqiptar ka shkëlqyer gjatë këtij sezoni për skuadrën nga Genova, dhe së fundmi u ftua në Kombëtaren e Gjermanisë për një ndeshje miqësore.

Paraqitjet e mira kanë zgjuar spekulime se Mustafi është shndërruar në objektiv të trajnerit të Bianconerëve, Antonio Conte.

Mirëpo, Mustafi ka theksuar se nuk është në njohuri për zërat që qarkullojnë.

“Juventus? Jam ende i ri, është sezon im i parë i luajtur me vazhdimësi”, deklaroi Mustafi për Fox Sports.

“Sa i përket tregut, ia lë të gjitha në duar menaxherit dhe babait tim. Ata nuk më kanë thënë asgjë sepse duan që unë të luaj me mendjen të lirë”, u shpreh ai.