Mustafi e vizitoi edhe FFK-në

Shkodran Mustafi e ka vizituar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, ku pati takim me krerët e këtij institucioni. Kryetari Fadil Vokrri ka thënë se 23 vjeçari i ka bërë krenar të gjithë shqiptarët.

Sport

29/07/2014 15:25

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, me bashkëpunëtorë, nënkryetarin Agim Ademi, sekretarin i përgjithshëm Eroll Salihu, përzgjedhësi Albert Bunjaku e Muharrem Sahiti, në zyrën e tij ka pritur futbollistin shqiptar Shkodran Mustafi, anëtar i Kombëtares gjermane që fitoi Kampionatin Botëror “Brazili 2014”. 

Kryetari Vokrri duke i uruar mirëseardhje ka falënderuar z. Mustafi për këtë vizitë në FFK.

“Na keni bërë që të ndjehemi krenar të gjithëve dhe dashtë zoti ta kesh shëndetin dhe të kesh e të përjetosh edhe suksese tjera në rrugën e juaj prej futbollisti. Ju dhe të tjerët në Brazil keni përfaqësuar kombin shqiptarë në mënyrën më të mirë të mundshme. Rruga e një futbollisti në karrierën e tij përveç që të dhuron kënaqësi, nuk është edhe aq e lehtë sepse kërkon punë e angazhim të pashoq”, ka thënë Vokrri.

Pastaj kryetari Vokrri e njohu futbollistin për futbollin e Kosovës, synimet dhe përpjekjet në ndërkombëtarizimin e tij.

Nga ane e tij, Mustafi ka falënderuar kryetarin Vokrri për këtë pritje duke u shprehur se është ndjerë jashtëzakonisht i emocionuar për respektin që i kanë bërë shqiptarët kudo, ndaj edhe këto suksese janë për ta që me ndihmuan dhe më përkrahën gjatë gjithë kësaj kohe.

“Do ta jap maksimumin që të arrij edhe më shumë suksese në futboll që do të krenoheshin të gjithë me shpresën që do të ketë edhe të tjerë si unë. Do të mundohem me kapacitetet e mija që të jap kontributin tim për futbollin e Kosovës”, përfundoi ai.