Mustafa: Zhvillimit ekonomik dhe punësimit i kemi dhënë prioritet

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën informuese për zhvillimin e sektorit privat “Ditët e Biznesit tё Vogël 2017” që u zhvillua në Istog.

Lajme

01/03/2017 16:36

Në këtë konferencë, ku ishin të pranishëm ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Financave, Avdullah Hoti, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, përfaqësues të ATK-së, të Doganave të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e sektorit privat.

Gjatë qëndrimit në Istog, kryeministri Mustafa vizitoi edhe kultivuesit e peshkut “Trofta” në Istog, si dhe biznesin prodhues “AGROPRODUKT shpk” në fshatin Sine të kësaj komune.

“Ne si Qeveri jemi përcaktuar që në këtë mandat, zhvillimit ekonomik dhe punësimit t’i japim prioritet kryesor. Kemi pasur premtime lidhur me shkallën e rritjes ekonomike të cilën ne e synojmë, e cila pastaj mundëson që ne të përballojmë fluksin e të papunëve, sidomos të të rinjve dhe grave ku kemi papunësi të madhe”.

“Kemi vërejtur se janë bërë përparime të konsiderueshme, porse kërkohet edhe kohë që ne të kemi investime më të mëdha të cilat pastaj do të krijonin hapësirë për punësim më të madh, edhe për ndryshimin e bilancit tregtar me jashtë, sepse kemi një bilanc tregtar i cili është tepër i pavolitshëm për Kosovën për arsye se kemi importet shumë të mëdha dhe në krahasim me këtë pastaj kemi pjesëmarrjen e eksporteve të ultë. Ajo që ne  e konsiderojmë si të arritur është se kemi arrit që të kemi stabilitet makroekonomik gjatë këtyre dy viteve, do të thotë kemi një rritje ekonomike prej rreth 4 për qind ose pak mbi 4 për qind, edhe për vitin 2015 edhe për vitin 2016, që është më e madhja në regjion, por e cila neve nuk na e zgjidh problemin, sepse duhet të kemi së paku një rritje prej 6 ose 7 për qind në mënyrë që të fillojmë ta zgjidhim problemin e papunësisë” tha kryeministri Mustafa, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Kryeministri Mustafa potencoi uljen e shkallës së papunësisë nga 35 në 26 për qind, por nënvizoi shpërputhjen në mes të kërkesave të tregut të punës dhe arsimit të mesëm dhe të lartë. Kryeministri ka përmendur përmirësimin e ambientit të bërit biznes, lirive të biznesit, efikasitetit të shërbimeve administrative, edhe sa i përket funksionimit të Doganave dhe Administratës Tatimore.

“I kemi rezultatet konkrete tek pakoja e parë e politikave fiskale, për të cilat unë në bazë të vizitave që kam pasur nëpër biznese kam marrë informata se pjesa dërmuese e tyre janë shprehur pozitivisht dhe do të ishte mirë që prapë të kemi vlerësimin tuaj se a mund të bëjmë edhe diçka në këto politika.

Kemi tash edhe pakon e dytë të politikave fiskale që sot prezantohet, në mënyrë që ta testojmë para jush se gjithë ajo që deri më tani e ka në plan që Ministria e Financave ta prezantojë në Qeveri ose drejtpërdrejt ta aplikojë, a është që në këtë fazë e arrin qëllimin, a qëllimi është që kushtet e të bërit biznes në Kosovë të barazohen me kushtet që i kanë vendet tjera në regjion edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian. Tash tek Bashkimi Evropian unë po kaloj te Marrëveshja e Stabilizim Asociimit që  kemi nënshkruar në fund të vitit 2015 e që ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit të kaluar edhe e cila ka filluar të implementohet, mirëpo e cila në rend të parë kërkon që t’i aftësojmë bizneset që të jenë konkurrente me bizneset tjera që konkurrojnë në tregun e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri.

Kryeministri tha se nuk mjafton të lëvdohemi me qasjen në një treg që ka mbi 500 milionë banorë, siç është tregu i Bashkimit Evropian, por duhet të punohet edhe në konkurrueshmërinë e kompanive për t’u përgjigjur kërkesave të këtij tregu.

“Për shembull, në Industrinë e drurit në Ferizaj kur kemi biseduar, është vërejtur se ne kemi prodhues të mirë të drurit, dhe të mobilieve në Ferizaj, por prodhuesit i kanë kapacitetet e kufizuara, prandaj ata nuk mund t’ju përgjigjen kërkesave dhe nuk mund të bëjnë oferta të mjaftueshme për kërkesat e tregut të Bashkimit Evropian, sepse ata kërkojnë një kapacitet më të madh të produkteve për atë treg dhe pastaj kërkohet që të bëjmë organizimin tjetër, në mënyrë që të bëhet një farë lloj asociacioni i këtyre bizneseve ose një organizim tjetër i cili do të mundësonte që ato bashkërisht të dalin në atë treg.

Ne sot është mirë të shohim se çka duhet të bëjmë që ne të përballojmë atë që tregu evropian e kërkon dhe ku ne mund të jemi konkurrent dhe në cilat fusha.

Tash ndërlidhur me këtë, ne po punojmë edhe në Agjendën e Reformave Ekonomike Evropiane, që ndërlidhet prapë me rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, që ndërlidhet me çështjen e funksionimit të shtetit ligjor, sidomos te investitorët e jashtëm, në mënyrë që ata të mos kenë problem me kontestet e tyre juridike ose me të metat tjera të këtij procesi. Edhe lidhur me harmonizimin e arsimit në tregun e punës, që prapë është një çështje që po hapet shpesh, sepse ne kemi shumë kuadro të disa fushave për të cilat sot nuk kemi kërkesa për tregun e punës, por kemi mungesë të kuadrove tek disa fusha tjera, ku kemi kërkesë sidomos tek profesionet që kërkojnë arsim të mesëm, e të cilat ne nuk i kemi tash për fazat e ardhshme të prodhimtarisë që mund të kemi tek bizneset tona” tha kryeministri Mustafa.

Çmimet dhe mirënjohjet e marra së fundi nga institucionet e rëndësishme botërore, kryeministri Mustafa tha se janë faktorë nxitës për punë të mëtutjeshme, duke përmendur edhe punët tjera që janë bërë në fushën e energjetikës, turizmit, dhe në zbatimin e Ligjit për Investime Strategjike.

“Po punojmë në fushën e energjetikës dhe në investime në energjetikë. I kemi të gjitha pritjet që në pranverë ne do të fillojmë me kontrata për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”,  që është investim prej 1 miliard euro dhe pastaj ndikon menjëherë në aktivizimin e ekonomisë tjetër gjatë ndërtimit të  termocentralit, sepse janë investime të mëdha edhe për operativen e brendshme edhe për importe nga jashtë. Jemi të interesuar që në fushën e turizmit të kemi më shumë investime. Është një regjion këtu i mrekullueshëm për turizëm dhe është mirë të shohim se çka mund të bëjmë dhe çka mund të ndihmojmë në atë fushë, duke lënë edhe Brezovicën si një prej kapaciteteve shumë të rëndësishme, por është një projekt i veçantë. Jemi të interesuar që të shohim se si mund të  implementojmë Ligjin për Investime Strategjike bashkë me ju, në të cilin ne i thjeshtësojmë procedurat edhe me investitorë të brendshëm dhe të jashtëm, edhe a mund të krijojmë lidhje me ju te investitorët e jashtëm, të tërheqjes së tyre, të shohim pastaj se çka mund të bëjmë me AKP-në, që disa prona të cilat i kemi në AKP mund t’i orientojmë për biznese strategjike, ato t’i orientojmë, dhe po ashtu për fushën e minierave dhe mineraleve që ato sa më shpejt t’i finalizojmë.  Trepça është një çështje tjetër, por ne jemi të interesuar edhe te resurset tjera të kemi një organizim më të mirë dhe të shkojmë më tutje” tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, falënderoi kryeministrin Mustafa për mbështetjen e vazhdueshme.

“Së voni kemi aprovuar Planin Strategjik të Zhvillimit, ku kryesisht jemi orientuar në aspektin e zhvillimit ekonomik të kësaj komune. Shpreh mirënjohjen për punën jashtëzakonisht të mirë që Kryeministri po e bën me stafin e vet, me ministrat për zhvillimin ekonomik të Kosovës” tha kryetari Rugova.

Mbështetjen e komunitetit të biznesit e theksoi edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, që potencoi se do të vazhdohet me dialogun për të parë ku janë sfidat që duhet të adresohen.

“Kemi punuar në harmonizimin e legjislacionit dhe ndryshimin e disa ligjeve, në nxjerrjen e disa ligjeve të reja, në mënyrë që të jemi më afër  bizneseve, siç është Ligji për Investime Strategjike, i cili na mundëson që të negociojmë drejtpërdrejtë me investitorët strategjik.

Jemi këtu që t’ju inkurajojmë që të behni pjesë aktive e projekteve të mëdha kapitale dhe shfrytëzimit të resurseve që ka vendi ynë” tha ministrja Bajrami.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, prezantoi pakon e re fiskale dhe tregoi të arriturat në fiskalizimin e bizneseve.

“Falë bashkëpunimit që kemi pasur me komunitetin e biznesit, buxheti i shtetit ka mbledhur rreth 330 milionë euro në dy vitet e fundit përmes politikave të reja fiskale” tha ministri Hoti.

Ndihmë në përgatitjen e bizneseve që sa më shumë të përfitojnë nga MSA-ja, iu premtoi edhe Limane Atashi nga Agjencia per Zhvillim Rajonal.

“Kemi përgatitur pakon për shërbime të komunitetit të biznesit. Për shkak të Konkurrueshmërisë së bizneseve dhe fillimit të  implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, në pako të shërbimeve ne iu ofrojmë bizneseve prej përgatitjes së biznesplanit, zhvillimit të marketingut, rritjes së cilësisë, si dhe ndërmjetësimin me investitorët e tjerë për zgjerim të bizneseve” tha ajo.

Gjatë qëndrimit në Istog, kryeministri Mustafa vizitoi edhe kultivuesit e peshkut “Trofta” në Istog, si dhe biznesin prodhues “AGROPRODUKT shpk” në fshatin Sine të kësaj komune. Kryeministri Mustafa vlerësoi bisedën me biznesmenët në Istog, duke theksuar se opinionet e marra janë të rëndësishme për të analizuar efektet e politikave fiskale, dhe ndryshimet që duhet bërë.

“Pamë biznese shumë të suksesshme, siç është edhe ky këtu, ku mbi 95 për qind është eksport. Është një angazhim shumë i madh i komunitetit, i cili është i lidhur me këto biznese, sepse në bazë të informatës që e morëm, janë 20 mijë familje, të cilat gjatë një viti krijojnë të ardhura nga kjo fushë, qoftë në grumbullimin, qoftë në tharjen e këtyre bimëve natyrore dhe të luleve, të cilat eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, mund të themi se edhe mundësitë për punësim në Kosovë janë shumë, sepse ka fusha që punësimi qoftë familjar, qoftë individual, mund të arrihet me forma të tilla dhe me kontribute të tilla që i bëjnë bizneset me vetiniciativë.” tha kryeministri Mustafa.

Pronari i kompanisë “AGROPRODUKT shpk”, Halit Avdija, u ndje i lumtur që pati mundësi të shpreh shqetësimet e tij.

“Ndjehemi të privilegjuar që kemi pasur mundësinë për të diskutuar për çështje të hapura rreth pakos së re fiskale. Falënderoj ministrat që na kanë dëgjuar neve komunitetin e biznesit këtu në Istog dhe për të bërë korrigjimet e mundshme me pakon e re fiskale” tha Avdija./ Lajmi.net/