Mustafa: Vuçiq kot e quan Kosovën djep të Serbisë, kur merr leje nga unë për realizimin e vizitës (video)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, më në fund ka vendosur të jep një koment lidhur me deklaratën e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, për familjarët e pagjetur.

Lajme

16/01/2015 12:37

Mirëpo pritja e madhe për këtë reagim të Mustafës, duket se nuk ka sjellur shumë ngushllim për familjarët e të pagjeturve, të cilat, gjatë një proteste në Gjakovë, u quajtën egërsira nga ky ministër serb në Qeverinë e Kosovës.

E vemtja gjë që deklaroi kreu i qeverisë sot, në një konferencë për gazetar, ishte një vlerësim i zbehtë për deklaratën e Jabllanoviqit. Ai e quajti këtë si një veprim të pamatur të ministrit të tij.

Ndërkohë lidhur me fatin e familjeve të të pagjeturve, të cilët, gjatë protestës në Gjakovë, nga ministri Jabllanoviq, u quajtën egërsira, Mustafa tha se për këtë kategori duhet që secili të ketë respekt, por sipas tij, ata nuk duhet që përmes librave të tregojnë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës.

“Respekti është që ne të krijojmë kushte që çështja e të pagjeturve të zgjidhet dhe kjo duhet të bëhet në bashkëpunim”.

Gjatë kësaj konference, numri një i qeverisë ka komentuar edhe deklaratat e homologut të tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, i Kosovën e quajti djep të Serbisë, Mustafa tha: “Toka i takon atij që i shfrytëzon ato. Ai që merr leje që të hyjë në këto toka, nuk mund t’i shpallë ato si të vetat. Vuçiq ka marrë leje nga qeveria e Kosovës, për vizitën e tij në vend” .

Mustafa tha se kryeministri serb do të lejohet sërisht ta vizitojë Kosovën, nëse ai e kërkon një gjë të tillë. Ai përmendi vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të rifillojë në shkurt.

“Ne do ta lejojmë që ai të hyjë përsëri në Kosovë. Gjithashtu edhe ne do të shkojmë në Beograd, në mënyrë që të thellojmë bashkëpunimin në mes të dy vendeve”.  

Raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sipas Mustafës, duhet të jenë më të veçanta se me vendet tjera, ndërsa ka paralajmëruar edhe një vizitë në Tiranë, por pa dhënë detaje për datën kur do të zhvillohet kjo vizitë.