Mustafa vazhdon thirrjet për ndalim të migrimit jashtë vendit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u ka bërë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të ndalojnë migrimin ilegal jashtë vendit. 

Lajme

17/01/2015 15:14

I pranishëm në ceremoninë e 25 vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në Vushtrri, Mustafa tha se partia e tij ka marrë përgjegjësinë për ta qeverisur Kosovën në një kohë të vështirë.

“LDK-ja vazhdimisht po merr përgjegjësi për të mirën e Kosovës, sepse ky ka qenë edhe synimi që nga themelimi i kësaj partie nga presidenti Rugova. Ne kemi marrë përgjegjësi për të qeverisur me Kosovën në këto kohë të vështira, sepse kemi menduar së Kosova ka nevojë për LDK-në,” deklaroi Mustafa.

Hysni Gërguri, kryetari i LDK-së në Vushtrri, theksoi se dega e parë e kësaj partie në nivel vendi është themeluar pikërisht në këtë qytet.

“Dega e LDK-së në Vushtrri është e themeluar më 17 janar të vitit 1990 dhe si e tillë mbetet e para e themeluar në Kosovë me kryetarin e saj të parë Hajzer Krasniqin, ku para 25 vjetëve i pranishëm kishte qenë edhe dr. Ibrahim Rugova,” tha Gërguri.

Kryeministri Mustafa edhe nga Vushtrria u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos largohen nga vendi i tyre drejt vendeve të ndryshme të botës.

Partia, kryetar i së cilës është Mustafa, u themelua më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë. /Kallxo.com/