Mustafa: Ushtria e Kosovës do të jetë faktor i rëndësishëm për paqen rajonale

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë kanë nisur manifestimet treditore “Epopeja e UÇK-së”. Pas rivistës që kryeministri Isa Mustafa e komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Kadri Kastrati i bënë para njësiteve të FSK-së dhe pas vendosjes së kurorave të luleve para lapidarit të Adem Jasharit, të pranishmëve u është drejtuar kreu i ekzekutivit.

Lajme

05/03/2015 11:56

“Republika e Kosovës sot shënon një datë të veçantë të historisë së saj të re, 5 marsin, ditën e rënies heroike të Heroit të Kosovës, Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Po ashtu, sot, përulemi me nderim para kujtimit të të gjithë bashkëfamiljarëve të tij, të cilët u flijuan për lirinë e atdheut”, tha kryeministri Mustafa në fjalimin e tij përpara Forcave të Sigurisë së Kosovës, ku ishin të pranishëm edhe figura tjera publike, vendore e ndërkombëtare

“Por, flaka që u ndez në vatrën e Jasharajve, u shndërrua në flakadan lirie, duke u shtrirë në tërë Kosovën dhe u rrit e u bë betim për lirinë; i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i bashkoi të gjithë shqiptarët kudo që ishin, në Kosovë dhe diasporë. Në të gjitha kontinentet shqiptarët ishin ushtarë të Kosovës, kush më shumë e kush më pak, por secili prej tyre ishte bërë pjesë e kësaj lufte dhe secili që merrte frymë me këtë bindje, e ndihmoi lirinë e Kosovës”.

“Ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk reshtën deri më 12 qershor të vitit ’99, kur Kosova u çlirua përfundimisht dhe së bashku me përkrahjen e botës demokratike, nisi një fazë e re e shtetndërtimit, e paqes dhe e zhvillimit”.

Nderimi për të rënët, sipas kryeministri, është nderim për shtetin tonë, ngase duke nderuar këtë ditë, institucionet më të larta të shtetit të Kosovës, njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë së ardhshme të Kosovës, e nderojnë themelin e patundur të pavarësisë.

Mustafa tha se në këtë ditë, krahas heroizmit të Familjes Jashari, që ndezi flakadanin e lirisë, me zemër dhe me mendje i kujtojmë edhe shumë data që shënuan mosnënshtrimin ndaj pushtuesit, i kujtojmë demonstratat e ’68-ës, ’81-shes, grevat e minatorëve të “Trepçës”, shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut, filozofinë politike të Ibrahim Rugovës, heroizmin e shumë bijve dhe bijave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kujtojmë dhembjen e familjeve që kurrë nuk iu kthyen të dashurit e tyre.

“Edhe sot, shprehim mirënjohjen më të thellë për përkrahjen e vendeve demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, që në ditët më të vështira na dolën krah dhe së bashku me ne vulosën lirinë e Kosovës”.

KM-04

Kryeministri tha se 17 vjetori i rënies së Adem Jasharit dhe familjarëve të tij, e gjen Kosovën me shumë arritje.

Republika e Kosovës, tha ai, është njohur nga 108 shtete anekënd globit, ka vënë marrëdhënie të ngushta me shumë vende të botës duke forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe duke shënuar rezultate të prekshme në shumë fusha.

“Transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në TMK, dhe i kësaj në Forcat e Sigurisë së Kosovës, është vetëm një nga rrëfimet e shumta të suksesit të Kosovës së lirë, të Kosovës sovrane dhe demokratike”.

“Kuptohet, procesi i avancimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës do të vazhdoj edhe më tutje me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat do të jenë forcë moderne ushtarake, e pajisur me të gjitha cilësitë e nevojshme të një ushtrie të aftë, për të siguruar stabilitet dhe paqe, dhe për të marrë pjesë në misione humanitare dhe paqësore me synim që të ketë vendin e vet në NATO”.

Shkurt, tha Mustafa, ushtria e ardhshme e Kosovës do të jetë një forcë model, një institucion pasqyrë e Kosovës reale me gjithë koloritin e saj etnik dhe gjuhësor. Kjo ushtri, sipas tij, do të krijohet sipas standardeve ushtarake profesionale të NATO-s, dhe do të jetë faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

Kryeministri me këtë rast po ashtu tha se Kosova dhe të gjitha institucionet e saj i bashkëngjiten luftës së botës demokratike kundër terrorizmit dhe kundër çdo lloj ekstremizmi.

“Sot, edhe këtu pohojmë fuqishëm se e ardhmja e këtij vendi është e sigurt. Kosova është vend i pavarur dhe demokratik, i të gjithë qytetarëve të barabartë, është vend që nuk e harron të kaluarën e dhimbshme, por që poashtu është shumë i vendosur për të ecur përpara drejt jetësimit të synimeve të veta madhore”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është tërësisht e përkushtuar për të krijuar perspektivë zhvillimore, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, dhe për të thelluar partneritetin me vendet fqinje. Ne kemi përgjegjësinë para qytetarëve që me mendje, me vullnet, me angazhim, me djersë, të jemi në nivel të detyrave që kemi për Kosovën, dhe ta nxjerrim Kosovën dhe ta përparojmë atë. Ne duhet të vërtetojmë se pavarësia jonë është shembull i suksesit, dhe se me begatitë tona njerëzore etnike, kulturore, natyrore, mund të rimëkëmbim ekonominë dhe të integrohemi në familjen evropiane dhe euroatlantike”.

“Sot nuk kërkohet të flijojmë jetën për Kosovën. Sot lypset që të punohet për një jetë më të mirë në Kosovë, për sendërtimin e ëndrrave të brezave që u flijuan për Kosovën e lirë dhe demokratike, ëndrra që ishin dhe mbeten ëndrra tona”.

YouTube player