Mustafa uron qytetarët për 10 vejtorin e Pavarësisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e shënimit të 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë nga deputetët e Kuvendit, më 17 shkurt 2008.

Lajme

17/02/2018 11:00

Në urimin e kryeministrit Mustafa thuhet:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, përbën të arriturën më të madhe të popullit të Kosovës pas 100 vjet përpjekjesh të gjithanshme për liri.

Pavarësia e Kosovës është kurorëzim i sakrificave dhe përkushtimit të paepur të gjeneratave të tëra të popullit të Kosovës, të artikuluara në nivelin më të lartë gjatë rezistencës gjithëpopullore të prirë nga Arkitekti i Pavarësisë, Ibrahim Rugova, e cila u pasua me luftën çlirimtare të prirë nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari.

Republika e Kosovës është sot shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga 117 shtete dhe me perspektivë të qartë integruese në Familjen Evropiane dhe në NATO, si procese të paalternativa për Kosovën.

Është lajm i mirë që Kosova tashmë po e përmbyll procesin e demarkacionit me Malin e Zi në përputhje të plotë me Marrëveshjen e parë, e zvarritur padrejtësisht deri tani, për një kauzë fiktive politike.

10 vjetori i Pavarësisë po e gjen Kosovën me të arritura evidente por edhe ngecje në disa drejtime. Por, vitaliteti, përkushtimi, atdhedashuria dhe vendosmëria e popullit të Kosovës janë garanci për një të ardhme më të mirë.

Mirënjohje të posaçme për atë që kemi arritur meritojnë partnerët tanë euroatlantikë, SHBA-të, vendet e BE-së dhe shtetet tjera mike, pa përkrahjen e të cilave, Kosova nuk do të ishte ku është sot.

Urime 10 vjetori i Pavarësisë!

Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës!