Mustafa uron presidentin e ri të SHBA-ve
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump.
Lajme
Kryeministri Mustafa, me këtë rast, në emër të Qeverisë së Kosovës ka uruar Donald Trump me rastin e zgjedhjes President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës. Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara në zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat me Shtetet e Bashkuar atë Amerikës dhe me administratën amerikane”, thuhet në urim.
Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast, ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës edhe për Presidentin Barack Obama, sekretarin John Kerry si dhe sekretaren Hillary Clinton, për përkrahjen e dhënë për Kosovën gjatë tetë viteve të kaluara.
Urimet me rastin e zgjedhjes së Presidentit Donald Trump, kryeministri Mustafa ia ka përcjellur gjatë ditës së djeshme edhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie. /Lajmi.net