Mustafa: Ulja e TVSH-së për prodhimet bazike përmirëson mirëqenien e qytetarëve

Qeveria e Kosovës ka miratuar një sërë projektligjesh që kanë për qëllim reformën në sistemin tatimor të Kosovës.

Lajme

24/03/2015 13:47

Në projektligjin e miratuar qeveria do të ulë TVSH-në nga 16 në 8 për qind për produktet elementare bukë, krip, vaj, mbeturina, furnizim me ujë dhe furnizim me energji.

Gjithashtu, do të hiqet TVSH-ja nga linja e prodhimit dhe teknologjia informative.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa gjatë mbledhjes së ekzekutivit tha zvogëlimi i TVSH-së, për produktet bazike do të përmirësoj mirëqenien e qytetarëve.

“Ndryshimet kryesisht kanë të bëjnë me uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së, tek tatimi mbi vlerën e shtuar, përshkallëzimi i normës së TVSH-së, duke vendosur një normë të reduktuar për produktet bazike me qëllim që të behet një shpërndarje e barabartë në të ardhur e konsumatorit dhe duke marr parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe duke marr parasysh se shumica shpenzon 45 për qind të të ardhurave të tyre për produkte ushqimore, atëherë reduktimi i TVSH-së për produktet bazike vlerësojmë se do ta rris mirëqenien e qytetarëve e veçanërisht atyre që kanë të ardhura me të vogla”, tha Mustafa.

I pari i Qeverisë shtoi se do të shqyrtohet edhe lista për lirime doganore, përmes së cilës synojnë të ulin koston e investimeve.

“Po ashtu do të shqyrtohet lista për lirime doganore, për aktivitetet prodhuese që shërbejnë për prodhimtari të drejtpërdrejtë. Përmes të cilave ne synojmë që të ulim koston e investimeve, përkatësisht të gjithë atyre që investojnë në vendin tonë. Konsiderojmë të rëndësishme kësaj mbledhje të Qeverisë sepse përmes saj ne po fillojmë të realizojmë disa prej synimeve të cilat i kemi vënë në programin tonë Qeverisës dhe po tregojmë se të gjitha ato synime që i kemi dhënë janë synime të cilat realizohen dhe do të japin efektet e tyre në kohën e duhur”, theksoi ai.

Ndërsa, ministri i Financave Avdullah Hoti, duke prezantuar ndryshimet e bëra në projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, tha se disa prej ndryshimeve kryesore që do të ndodhin është ulja e pragut të TVSH-së nga 50 mijë në 30 mijë euro, e cila do të bëjë të mundur që deri në 1800 biznese shtesë të futen në regjimin e TVSh-së, duke rritur kështu formalitetin dhe duke zvogëluar ekonominë joformale.

“Ndryshimi i dytë i madh është përshkallëzimi i TVSh-së ulja prej 16 në 8 për qind për produktet elementare bukë, krip, vaj, energji, mbeturina, furnizim me ujë, furnizim me energji, duke lënë mundësinë që kësaj liste t’i shtohet edhe me tutje varësisht prej vlerësimeve të rregullta që bënë Ministria. Kemi vendosur të heqim TVSH-në nga linja e prodhimit që do të specifikohet me vonë me udhëzim administrativ. Do të heqim TVSH-në nga teknologjia informative dhe ka plot ndryshime tjera që e bëjnë me të lehtë implementimin e këtij ligji në praktikë”, tha Hoti.

Qeveria po ashtu aprovoi edhe koncept dokumentin për fushën e prokurimit publik i cili parasheh reformë të thellë në prokurim duke u zëvendësuar me prokurim elektronik. Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe raportit financiar për vitin 2014, ku u tha se qëllimi i tyre është forcimi i disiplinës financiare në shpenzime të parasë publike.

YouTube player