Mustafa udhëton për në Spanjë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Spanjë, në shtetin që ende vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Lajme

20/10/2015 17:41

Ai këtë vizitë po e bën për të marr pjesë Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP). Gjatë qëndrimit në Madrid, kryeministri Isa Mustafa do të takohet me udhëheqës të qeverive, si dhe liderë të partive politike të qendrës së djathtë, të shteteve të ndryshme evropiane.

Siç thuhet në njoftim, ai me këtë rast do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të pesë shteteve të BE-së, që ende nuk e kanë marrë vendimin formal për njohjen e Republikës së Kosovës.

Përndryshe, Partia Popullore Evropiane (EPP) është familje politike e qendrës së djathtë, më e madhja në Parlamentin Evropian që nga fundi viteve ‘90, e cila përfshinë në gjirin e saj parti të mëdha siç është Unioni Kristian Demokratik i Gjermanisë (CDU) i kryesuar nga kancelarja Angela Merkel, apo Partia Popullore (PP) në Spanjë, e kryeministrit Mariano Rajoy, etj.

Lidhja Demokratike e Kosovës është anëtare e EPP-së që nga viti 2012.