Mustafa: Trepçën e shpëtuam nga likuidimi

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Qeveria nuk është e sigurt nëse kthimi në kompani publike të kombinatit Trepça, do të kishte sukses.

Lajme

13/02/2015 12:05

Ai ka thënë se paraprakisht duhet të hartohet një strategji për të parë se cila është forma më e mirë.

“Vuçiq dhe as Qeveria e Serbisë nuk është e përfshirë në këtë çështje. Hiqeni kompleksin e Vuçiqit”, ka thënë ai.

“Ligjin paraprak nuk e kemi hequr për shkak të Vuçiqit. E kemi hequr Trepçën sepse e kemi shpëtuar nga likuidimi”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, seanca e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe sot me prezantimin e Projektligjit për ndërmarrjet publike nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i cili sqaroi se Trepça është paraparë të rregullohet me një ligj të veçantë.

Stavileci ka thënë se ekzistojnë shumë kërkesa të komunave drejtuar AKP-së, sa i përket ndërmarrjeve publike, gjë që deri tani pamundësoheshin për shkak të kufizimeve ligjore, por që sipas tij do të rregullohen me miratimin e këtij projektligj.

Nga ana tjetër, Muhamet Mustafa, kryetari i Komisionit për zhvillim ekonomik, ka thënë se duhet të precizohet një datë se kur do të përgatitet projektligji i veçantë për Trepçën. (KosovaPress).