Mustafa thotë se me Ligjin e ri hapet e ardhmja për Trepçën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është shprehur se ligji për Trepçën është i një rëndësie të veçantë për Kosovën. Sipas tij Trepça paraqet një sinonim të zhvillimit por edhe të sakrificës dhe flijimit për Kosovën.

Lajme

05/10/2016 16:49

“Me këtë ligj ne nuk pretendojmë ta kthejmë të kaluarën e Trepçës, por të hapim të ardhmen e Trepçës”, shkruan Mustafa.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës gjatë ditës së sotme, ka proceduar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Projektligjin për “Trepçën” dhe pritet që ky ligj të jetë në rend ditë gjatë seancës së ditës së premte.

Këtë projektligj e kanë kundërshtuar ministrat serb në Qeveri, duke pretenduar se rrezikohen punëtorët serb në kombinat.

Por pas paralajmërimeve të rikthimit të ligjit në Kuvend Rreth 300 punëtorë të “Trepçës” në veri kanë bllokuar rrugën rajonale Mitrovicë – Rashkë, në Rudare të Zveçanit.

Ata janë shprehur të pakënaqur me paralajmërimin për miratimin e projektligjit për “Trepçën”, i cili do të hyjë në rend të ditës së seancës së të premtes.