Mustafa: Thaçi president, punë e kryer! (Video)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e di që mund të ketë edhe nga LDK-ja deputetë që nuk do ta votojnë Hashim Thaçin për president, por, nëse e bëjnë këtë, thotë se janë prishës të marrëveshjes së koalicionit qeverisës me PDK-në.

Lajme

04/03/2015 15:04

Zgjedhjen e presidentit, kryeministri Mustafa e sheh si punë të kryer.

Në vazhdën e përgjigjeve të dhëna për gazetarët në debatin “FOL Hapur” të organizuar nga Lëvizja FOL, Mustafa i ka konsideruar të ngutshme e populiste deklaratat e disa deputetëve të partisë së tij se nuk do ta votojnë të parin e PDK-së për president.

“Ata edhe nëse nuk dëshirojnë ta votojnë Thaçin, të presin kur të vije ajo kohë, kur të mbahet seanca e Kuvendit dhe të mos e votojnë, nuk kanë nevojë tash të bëjnë fushatë politike”, ka thënë Mustafa, i cili si kryetar i LDK-së që kur e ka nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje me PDK-në, i kishte premtuar ish-kryeministrit Thaçi se deputetët e partisë së tij do ta votojnë atë për president të Kosovës, pasi që t’i skadojë mandati presidentes Atifete Jahjaga, më 2017.

Kryeministri Mustafa ka thënë se përkrahja e Thaçit, aktualisht zëvendëskryeministër, është vendimi i organeve të LDK-së, sepse marrëveshja e LDK-së me PDK-në, sipas Mustafës, nuk ka qenë vetëm vullnet i tij, por i pjesës më të madhe të Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij.

“Ne katër orë kemi biseduar në këshill për të marrë vendimin se mund të bëjmë marrëveshje me çdo subjekt politik, përfshi edhe PDK-në. Dhe ajo është bërë, është arritur me shumicën absolute të votave, dhe çdo anëtarë e deputet i LDK-së do të duhej ta respektonte vendimin më të lartë të LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Deklarimin e deputetëve kundër Thaçit për president, Mustafa as që dëshiron ta ndalë, por ka thënë se ai dhe LDK-ja do t’i qëndrojnë marrëveshjes me PDK-në, marrëveshje e cila Thaçit ia votat e deputetëve në Kuvend për tu bërë president i Republikës.

“Në qoftë se dy-tre deputetë nuk e përkrahin është punë e tyre, por unë mendoj se ata që s’e përkrahin, duhet ta dinë që në qoftë se s’e përkrahin cilat mund të jenë pasojat për vendin, në qoftë se ne për arsye personale futemi në një cikël të tillë”.

“Ky proces jam i bindur që do të kryhet. Nuk shoh arsye, ne do të jemi serioz në marrëveshjet që i bëjmë”, ka thënë kryeministri Mustafa.

YouTube player