Mustafa: Të bëhemi bashkë pozitë e opozitë

Kryeministri Isa Mustafa, në ditët kur opozita i ka dhënë ultimatum për dorëheqje, po kërkon prej tyre që të bëhen bashkë me qeverinë për ta quar vendin përpara.

Lajme

25/02/2016 09:38

Mustafa përmes një statusi në Facebook, ka thënë se Kosova përgjatë vitit të kaluar ka arritur shumë suksese, të cilat ai nuk i ka promovuar edhe aq shumë, dhe për këtë thotë se ka marrë edhe kritika.

Komenti i plotë i kryeministrit Mustafa:

Shumë nga miqtë tanë po na bëjnë vërejtje se Kosova ka arritur shumë vitin e fundit, por se nuk i kemi afirmuar këto të arritura. Është, MSA, marrëveshja e parë kontraktuale që u lidh vitin që shkoi me BE-në, e cila mundëson integrimin tonë në ekonominë dhe demokracinë evropiane. Në fund të vitit të kaluar organizata prestigjioze amerikane Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC) e radhiti Kosovën ndër vendet që përfiton prej fondeve të saj (qindra miliona dollar). U nënshkrua marrëveshja për investimin më të madh privat amerikan në Kosovë, mbi në miliard euro, për ndërtimin e TC Kosova C. Janë arritur marrëveshje për investime të rëndësishme me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.Vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë se Kosova ka stabilizuar tërësisht buxhetin e saj, për dallim prej shumë vendeve në regjion dhe vendeve të tjera. Janë rritur për 25% ndihmat sociale, janë rritur mjetet për pensione për kontributdhënës mbi 25% dhe janë rritur pagat mesatarisht për 6% përmes aplikimit të shtesave për përvoja të punës. Janë përafruar krejtësisht kushtet për liberalizim të vizave. Nuk ka raste dhe afera të korrupsionit nga qeveritarët. Jemi kujdesur për krijimin e kushteve më të mira për organet e drejtësisë, për gjyqtarë dhe prokurorë. Prandaj, nuk ka arsye të mos jemi bashkë të gjithë, pozitë dhe opozitë, gra e burra, të rinj e të moshuar, institucione, shoqëri civile e biznese, për të quar proceset përpara, për ta ndërtuar një shtet të fortë, të respektuar me perspektivë euroatlantike. Më së paku kemi nevojë të ndahemi në patriotë e tradhtarë, në akuzues dhe të korruptuar, sepse njihemi të gjithë. Më së shumti kemi nevojë të punojmë në ndërtimin e institucioneve tona demokratike me njerëz tanë, këta që jemi. IM