Mustafa sulmon të gjithë: Mos na lodhni, nuk ua japim votën e as nuk shkojmë te Thaçi

Kryetari i LDK-së dhe kryeministri në detyrë, Isa Mustafa ka reaguar ashpër ndaj të gjitha partive, përfshirë edhe AAK, VV, Nismën, etj, duke thënë se u bënë të gjitha bashkë për ta rrëzuar qeverinë e drejtuar nga LDK.

Lajme

21/07/2017 18:09

“Prandaj, mos na lodhni duke na treguar sesi ua dha Rugova mandatin. Sot nuk do t’ua japim as mandatin e as besimin. Asnjë nga LDK, që respekton LDK-në dhe që i rri besnik kësaj partie nuk do t’ia jap votat koalicionit të drejtuar nga PDK e as Ramush Haradinajt me PDK-në”, ka shkruar Mustafa.

Ai po ashtu ka thënë se nuk do të shkojë të hënën te presidenti Thaçi, në takimin konsultative me partitë parlamentare.

Postimi i plotë i Isa Mustafës:

Ata që e sulmuan me të gjitha mjetet dhe metodat e dhunës Kryeministrin dhe Qeverinë e drejtuar nga LDK, sot thirren në Ibrahim Rugovën dhe kërkojnë nga LDK dhe deputetët e LDK-së t’ua japin votën për Qeverinë e koalicionit të drejtuar nga PDK.

Me çfarë të drejte? Morale? Politike? Etike?

AAK, Nisma, VV, Lista Serbe, komunitetet tjera, të gjithë u bashkuat për ti shpallur mosbesim një qeverie të drejtuar nga LDK që shënoi rritje ekonomike, stabilizoi buxhetin, rriti pensionet, e pa korruptuar me orientim të qartë evropian.

Ne nuk jemi përgjegjës që gabuat në llogari.

Prandaj, mos na lodhni duke na treguar sesi ua dha Rugova mandatin. Sot nuk do t’ua japim as mandatin e as besimin. Asnjë nga LDK, që respekton LDK-në dhe që i rri besnik kësaj partie nuk do t’ia jap votat koalicionit të drejtuar nga PDK e as Ramush Haradinajt me PDK-në.

LDK nuk do të diskutoj me askënd për qeverisjen PAN. Si lider i LDK-së nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre. IM