Mustafa: Serbinë e kushtëzojmë me institucionet paralele

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radio Televizionin e Vojvodinës, ka thënë se temat e ardhshme në takimet e Brukselit do të jenë zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe shuarja e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë.

Lajme

26/01/2016 23:53

Ai në një intervistë për televizionin publik nga Novi Sadi, ka thënë se marrëveshjet e arritura në Bruskel kanë një bazë ligjore në Kosovë dhe zbatimi i tyre do të bëhet me kujdes maksimal, duke iu referuar ligjeve të Republikës së Kosovës dhe gjithnjë duke ndjekur Kushtetutën.

“Natyrisht se ne kemi shumë vërejtje edhe sa i përket zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë sepse përderisa në zhvillojmë dialog në Bruksel për marrëveshje të ndryshme Qeveria e Serbisë nominon ose cakton organe paralele nëpër komunat e Kosovës në arsim, në shëndetësi gjë që është totalisht e papranueshme”, ka thënë kryeministri Mustafa në këtë intervistë.

Mustafa tha se Kosova do të jetë e kujdesshme. “Ne, proceset e mëtutjeshme të marrëveshjeve dhe implementimin e tyre do ta lidhim me procesin e zhbërjes se strukturave paralele nëpër komuna të ndryshme, e veçmas në veri të vendit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa tha se nuk ka arsye që Qeveria të jep dorëheqje pasi arsyet që kanë krijuar krizë politike në Kosovë nuk qëndrojnë pasi në vitin 2013 kjo gjë është ratifikuar me ligj dhe është bërë normë juridike.

“Por gjatë zbatimit të tij duhet të ketë kujdes që të zbatohet në frymën kushtetuese në mënyrë që cdo gjë të jetë në harmoni me kushtetutën”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se Kosova është zotuar për themelimin e Gjykatës Speciale, por kjo varet nga shteti nikoqir Holanda.

“Ka pakënaqësi pasi njerëzit në Kosovë nuk e kanë sulmuar askënd, por kanë mbrojtur pragun e shtëpisë dhe familjet e tyre dhe qytetarët e Kosovës. Shpresojmë të mos ketë pasur njerëz që kanë gabuar dhe kanë kryer krime, por kjo është çështje e gjykatës”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka theksuar se Kosova dëshiron të jetë një faktor stabiliteti dhe i paqes dhe të fokusohet edhe në zhvillimin ekonomik. Ai ka thënë se do të diskutohet edhe për transportin hekurudhor dhe ajror.

Ndërsa ka shtuar se Kosova nuk do të heq dorë nga anëtarësimi në UNESKO dhe për këtë nuk do të diskutoj me Serbinë.

“Çështja e anëtarësimit në UNESKO nuk do të jetë pjesë e dialogut pasi është e drejtë e jona si vend”, ka shtuar Mustafa./indeksonline