Mustafa: Rezoluta nuk është zgjidhje për dialogun por zgjatje afatshkurtër e mandatit qeverisës

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas votimit të Rezolutës së PSD-së për dialogun me Serbinë.

Lajme

16/12/2018 12:03

Mustafa tha se votimi në Kuvend i Rezolutës së propozuar nga PSD për dialogun me Serbinë, “nuk është zgjidhje për dialogun por, është zgjidhje afatshkurtër për të mbetur në pushtet koalicioni i dështuar qeverisës”.

“Ky nuk është vendim gjithëpërfshirës, siç dëshiron ta mashtrojë veten dhe adresën e vet ndonjë ndërkombëtar. Kosovës i nevojitet një proces i dialogut dhe marrëveshje e arritur dhe e përkrahur nga shumica e paraparë me Kushtetutë. Një marrëveshje e qëndrueshme. Çdo veprim tjetër është blerje kohe dhe mashtrim”, ka shkruar Mustafa.

Procesi dhe Marrëveshja eventuale për dialogun e ekipeve, siç i quan ai, “të improvizuara pa legjitimitet me votë të qytetarëve dhe e institucioneve pa legjitimitet kushtetues është në dëm të Kosovës dhe do të kundërshtohet fuqishëm nga LDK”. /Lajmi.net/