Mustafa reagon ndaj Veselit e Haradinajt: “Turri” i votës do t’ua tregoj vendin PDK-së dhe AAK-së

Kryeministri në largim, Isa Mustafa e ka shfrytëzuar rrjetin social facebook që të drejtojë akuza kah tashmë partnerët e koalicionit PDK dhe AAK.

Lajme

20/05/2017 15:54

Mustafa ka thënë se gjatë turit të dëgjimit që e bëri Kadri Veseli, sipas tij populli ia kishte bërë të ditur se nuk di të qeverisë, transmeton lajmi.net

“PDK e AAK për dy tre ditë paralajmëruan vendimet kapitale për Kosovën. Por, pasi dështoi në maraton, pas dy vjet e gjysmë, vendimin më të madh PDK e mori pas turit të dëgjimit. Populli i tha dorëzohu se nuk dini me qeverisë dhe u dorëzuan para një partie të vogël” ka shkruar Mustafa në facebook.

Ai pas turit të dëgjimit ka thënë se pason “turri” i votës që sipas tij do t’ua tregoj vendin këtyre dy partive.

“Tani, për koalicionin e karavanit të partive, pason “turri”i votës, i cili bashkërisht do t’ua tregoj vendin. Pastaj kanë kohë të mendojnë, me kokë, sesi merren vendimet e mëdha” ka thënë lideri i LDK-së.

Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa u rrëzua nga një mocion i Nismës për Kosovën, i mbështetur nga partitë opozitare dhe PDK-ja. /Lajmi.net/