Mustafa reagon ndaj Shkullakut: Merru me punët e Shqipërisë, mos më gjej mua punë

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar kundrejt një interviste që drejtori i televizionit KLAN Armand Shkullaku ka dhënë për një portal në Kosovë.

Lajme

15/10/2014 17:20

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa shprehë keqardhjen për mendimin e Shkullakut i cili kishte thënë se “Më i rëndësishëm është formimi i Qeverisë se një vend pune për Isa Mustafën”, duke ia përmendur atij se  tashmë ka vend pune edhe në Universitetin e Prishtinës si profesor, por njëkohësisht është edhe anëtarë i Akademisë së Shkencave.

Mustafa madje e ka porositur Shkullakun që të merret me Shqipërinë dhe të mos mundohet që t’i gjej punë atij në Kosovë.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Isa Mustafës:

Tani në portalin e Gazetës Express lexova një intervistë të z. Armand Shkullaku: “Më i rëndësishëm formimi i Qeverisë se një vend pune për Isa Mustafën”. Shprehu keqardhje për absurditetin e tillë të të menduarit, të një njeriu që një kohë të gjatë punoi në Prishtinë dhe do të duhej t’i njeh rrethanat tona. Duhet ta përkujtoj zotin Shkullaku dhe unë jam profesor i rregullt i Universitetit të Prishtinës, se jam anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe jam deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj ai mund të merret me punë tjera në Shqipëri, sepse nuk është korrekte që nga atje të mendoj të me gjej punë në Kosovë.