Mustafa: Pushteti që po e fajëson opozitën për vonesën e liberalizimit, e dinë mirë se ku është problemi

Kryetari i LDK-së dhe ish kryeministri Isa Mustafa ka thënë sot se pushteti po provon që t’i vë fajin opozitës rreth vonesave për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Lajme

04/10/2018 12:28

Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se kundërshtuesit e demarkacionit në vitin 2016 janë fajtorë që tashmë nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave, për të cilët thotë se të njëjtit që tashmë janë në pushtet po e akuzojnë opozitën e tanishme për pengim të liberalizimit të vizave, përcjell lajmi.net

“Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020, dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita,e dinë mirë se ku është problemi, por iu nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten”, ka shkruar Mustafa.

Ky është postimi i plotë i Mustafës:

Kur në vitin 2016 kërkonim të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave por edhe si instrument i sovranitetit shtetëror, këta që sot janë në pushtet e kundërshtonin dhe propagandonin rrejshëm se po humbim mbi 8000 hektar tokë. Me mashtrime dhe me politika populliste, atëherë humbëm shansin ta përmbyllim procesin e liberalizimit. Tani , në prag të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe primitivizmit tonë. Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE, epilogu i të cilave është vështirë të dihet.

Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020, dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita,e dinë mirë se ku është problemi, por iu nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten. Pavarësisht nga kjo, Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave sa më shpejtë; të garantojmë se ky vend do të qeveriset mirë e pa korrupsion, se do ta zhvillojmë ekonominë e të hapim vende pune. Të mos ndjellim frikë se të rinjtë tanë do ta braktisin Kosovën e do ta marrin botën në sy. IM