Mustafa pret në vizitë përfaqësuesit e Luginës, LDK mbetet kundër korrigjimit të kufijve

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherit kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka pritur sot për vizitë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës.

Lajme

10/09/2018 20:38

Vizitën e tyre e ka bërë të ditur vet Mustafa ndërsa ka theksuar se pjesë e këtij takimi ishte edhe Lutfi Haziri.

Sipas Mustafës, pavarësisht problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës,  LDK konsideron se korrigjimi i kufijve, rrezikon që të vuhet në tryezë shtetësia e Kosovës.

”Kisha nderin që sot, së bashku me z. Lutfi Haziri, ti pres në shtëpinë time në vizitë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, z. Shaip Kamberi, znj. Ardita Sinani dhe deputetin Fatmir Hasani. U interesuan për gjendje e rehabilitimit tim shëndetësor si dhe për proceset aktuale sidomos për pikëpamjet e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës më njoftuan për përkeqësimin e vazhdueshëm të pozitës së shqiptarëve atje, për shpopullimin dhe shpërnguljen e madhe të tyre dhe interesin për ardhmërinë e kësaj Lugine në perspektivën e marrëveshjes përfundimtare Kosovë Serbi. Duke shfaqë brengën time dhe të LDK-së për gjendjen aktuale por edhe interesimin e përhershëm të LDK-së për shqiptarët në Luginën e Preshevës, i njoftova se LDK konsideron se korrigjimi i kufijve, në situatën kur Serbia nuk i njeh kufijtë aktual të Kosovës dhe hapja e çështjeve të integritetit territorial, jo vetëm që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë por rrezikojnë që të vejmë në tryezë shtetësinë e Kosovës.

Se për dialog me Serbinë duhet të kemi një proces të përgatitur, të diskutuar ndërmjet veti, të matur mirë, gjithëpërfshirës si dhe përfaqësim me legjitimitet politik e kushtetues. Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbetet e përkushtuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe do të intensifikoj komunikimin me ta në të gjitha fazat”, ka shkruar Mustafa në Facebook.