Mustafa premton mbështetje për Klinën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Klinën, ku është pritur nga kryetari i Komunës, Sokol Bashota dhe ka vizituar një fabrikë të suksesshme të produkteve ushqimore.

Lajme

05/04/2016 16:04

Kryeministri Mustafa shprehu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për Klinën në zhvillimin e bujqësisë, të infrastrukturës arsimore, të ambientit dhe në shumë fusha të tjera.

Gjatë takimit me kryetarin Bashota, kryeministri Mustafa, ka vlerësuar punët e mira që janë bërë në interes të qytetarëve, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe efikasitetin e administratës, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

“Komuna ka nevojë të përkrahet edhe më shumë në fushën e bujqësisë, sepse flitet për njerëz që merren me atë aktivitet dhe për kushte shumë të mira të zhvillimit të bujqësisë në këtë pjesë. Po ashtu, ka nevojë që të përkrahen edhe sa i përket infrastrukturës arsimore, për arsye se ka disa objekte shkollore të cilat paraqesin rrezik të mëtutjeshëm për nxënësit dhe për kushtet e punës në ato mjedise. Me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po ashtu, u angazhuam që të gjejmë zgjidhje për rrjedhën e lumenjve dhe rregullimin e shtratit të lumenjve dhe me planifikimin e këtij rregullimi, për arsye se këtu gërshetohen më shumë lumenj dhe ka pasur probleme në të kaluarën sa i përket vërshimeve dhe dëmtimeve të pronave individuale, dhe po ashtu pasurive bujqësore”, tha Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi se vizitat e tilla japin kontribut të veçantë, sepse në mënyrë të drejtpërdrejt preken dhe adresohen problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe Komuna.

“Ishte një sugjerim shumë i mirë i kryetarit të Komunës që edhe ministrat të jenë më tepër në terren, të jenë në komuna, në mënyrë që përmes bisedave të drejtpërdrejta me kryetar të komunave, aty ku zhvillohet jeta, t’i zgjidhin këto probleme”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kryetari i Klinës, Sokol Bashota, tha se vizita e kryeministrit Mustafa në Komunën e Klinës është një inkurajim për punën që po bëhet në këtë Komunë.

“Sqarova për zhvillimet komunale, për sfidat që i kemi si Komunë, por edhe për të arriturat e përbashkëta dhe mbështetjen që e kemi nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të realizuar ato projekte të cilat janë shumë vitale për qytetarët e Komunës së Klinës. Besoj se kjo vizitë hap rrugën që këtë shembull ta ndjekin edhe ministrat e kabinetit qeverisës, të cilët po mungojnë në vizitat nëpër komuna. Besoj se në të ardhmen veç do të jemi në bashkëpunim me të gjithë sektorët e veçantë, për arsye se këtu përplasen të gjitha hallet, shqetësimet e qytetarëve dhe besoj se nga këtu do të fillojë dhe zgjidhja e këtyre problemeve”, tha Bashota.

Kryetari i Klinës, po ashtu, bëri të ditur se ka marrë premtimin e kryeministrit për angazhimin e tij konkret për mbështetje të Komunës së Klinës në të gjithë sektorët, ku ka mundësi buxhetore.

Më pas, kryeministri Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri Ferid Agani dhe kryetari Bashota, kanë vizituar Fabrikën e produkteve ushqimore, AMO, ku ka parë nga afër punën dhe rezultatet që po arrihen nga kjo fabrikë.

ZKM-12 (1)

Mustafa tha se kjo fabrikë është e barabartë me prodhuesit në regjion dhe është shumë konkurruese.

“Sot pamë mallra të përgatitura për Rumani, tregu i shfrytëzon dhe i pranon këto mallra, të cilat kanë një cilësi të lartë të produkteve. Po ashtu, eksportohen në Maqedoni dhe në Bosnje që flet se kemi të bëjmë me një cilësi të mirë të produkteve, me një ambalazhim të mirë dhe një punë të shkëlqyer që po bëhet këtu. Duhet t’i ndihmojmë në tregun e brendshëm, por po ashtu është e domosdoshme që t’i ndihmojmë që të dal edhe në tregun tjetër të Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar tash edhe përparësitë e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”, tha kryeministri Mustafa.

Pronari i Fabrikës AMO, Bujar Morina, theksoi se kohëve të fundit po shihet që ka lëvizje në favor të bizneseve e sidomos në favor të prodhuesve vendorë.

“Mendojmë që politikat fiskale që janë ndërmarrë, rezultatet e tyre po shihen që janë të prekshme. Besojmë dhe shpresojmë që edhe ne si biznese, apo edhe si prodhues vendor, do të bëjmë të pamundurën, që të konsolidohemi dhe të bëhemi së paku të barabartë me prodhuesit tjerë në regjion”, tha Morina, duke falënderuar kryeministrin Isa Mustafa për vizitën.